Sali Berisha ka ashpërsuar tonet në Kuvend, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka shndërruar Parlamentin në leckë që, sipas tij, nuk respekton më as ligjin dhe as Kushtetutën.
“Parlamenti është shndërruar në mburojën më të turpshmen në histori të vjedhjeve të qytetarëve shqiptarë. Këtë parlament që për herë të parë në 35 vite parlamentarizëm pluralist mbron në mënyrën më të paskrupullt, më antikushtetuese, më antidemokratike, më antikombëtare, vjedhjet e Edi Ramës dhe klanit të tij familjar dhe qeveritar. Çdo gjë që dëgjoni të dashur qytetarë vjen nga fakti se Edi Rama e ka shtuar këtë parlament në një leckë të vetën në të cilin nuk respektohet asnjë ligj, asnjë rregull, as kushtetuta, asgjë tjetër përveçse interesave të tij”.
Pasi Kuvendi caktoi datën 14 maj për debatin për integrimin, Berisha deklaroi se debatet parlamentare po shtyhen në mënyrë të qëllimshme dhe diskutimet po pengohen për të shmangur, sipas tij, transparencën.
“Këtu është problemi. Ndaj dhe debatet shtyhen. Nuk mund të shtyhen debatet. Kanë afate kushtetuese, nuk mund të shtyhen kurrë debatet. Nuk negociohen interpelancat, kanë afate ligjore kushtetuese, por shtyhen sepse Edi Rama nuk do në parlament. Sepse në këtë parlament qytetarët presin transparencën e vjedhjeve të tij. Vetëm AKSHI i dy Lindave është bërë ndërkombëtar, është bërë botëror. Ajo e gjora Mirlinda me katër apartamente vila. Po ju nuk guxoni ta shqiptoni atë apo jo? Prandaj dhe e shtroni parlamentin në një hiç, e shumëzoni me zero. Dilni këtu pa asnjë rregullore, pa asgjë. Nuk respektoni as kushtetutën në asnjë nen që takohet me parlamentin. Si ka mundësi, si ka mundësi të jeni kaq të dobët para ligjit, para kushtetutës vetëm e vetëm për një njeri”, u shpreh Berisha.

