Dy persona hebrenj u goditën me thikë në veri të Londrës të mërkurën nga një sulmues, i cili vrapoi përgjatë një rruge duke synuar hebrenjtë, në atë që policia e cilësoi si një incident të dyshuar terrorist.
Policia bëri të ditur se dy viktimat, të moshës 76 dhe 34 vjeç, ndodhen në gjendje të qëndrueshme në spital. Oficerët, disa prej të cilëve u sulmuan gjithashtu nga i dyshuari, arrestuan një person 45-vjeçar pasi e neutralizuan me një armë trullosëse Taser.
I dyshuari është shtetas britanik, i lindur në Somali, sipas një deklarate të Policisë Metropolitane. Fillimisht ai u dërgua në spital, por më pas u lirua dhe u transferua në një komisariat në Londër, ku mbahet në paraburgim.
Detektivët besojnë se i dyshuari ishte përfshirë edhe në një incident të veçantë më herët të së mërkurës në juglindje të Londrës. Në atë rast, ai ishte i armatosur me thikë dhe një person pësoi lëndime të lehta.
Sulmet e fundit antisemite në Mbretërinë e Bashkuar kanë nxitur kërkesa për veprime urgjente nga udhëheqës të komunitetit hebraik në Londër, si dhe nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti i Izraelit, mes shqetësimeve për sigurinë e rreth 290 mijë hebrenjve në Britani.
I dyshuari, i cili po merret në pyetje për tentativë vrasjeje, kishte një histori të dhunës së rëndë dhe probleme të shëndetit mendor, deklaroi shefi i policisë së Londrës, Mark Rowley, nga vendngjarja.
Qeveria ka premtuar të rrisë burimet në të gjithë vendin për të mbrojtur komunitetet. Megjithatë, në shenjë zemërimi dhe frike, një turmë në vendngjarje e kundërshtoi Rowley-n dhe kërkoi dorëheqjen e tij, duke bërtitur “ke dështuar”.
PRESIDENTI I IZRAELIT BËN THIRRJE PËR VEPRIM
Pamje të paverifikuara të publikuara në rrjetet sociale duket se tregojnë një person me kapelë tradicionale hebraike duke u sulmuar me thikë teksa qëndronte në një stacion autobusi.
Sipas policisë, i dyshuari u përpoq të godiste edhe oficerët, por asnjë prej tyre nuk u lëndua. Pamjet e publikuara më vonë tregojnë oficerët duke e neutralizuar të dyshuarin ndërsa përpiqeshin t’ia merrnin thikën.
Këto sulme vijnë pas një serie zjarrvëniesh ndaj objektivave hebraike në javët e fundit në kryeqytet. Në tetor të vitit të kaluar, dy persona dhe një sulmues humbën jetën pasi një person hyri me makinë në një sinagogë në qytetin verior të Mançesterit.
Kryerabini britanik, Ephraim Mirvis, deklaroi se qeveria duhet të bëjë më shumë sesa vetëm deklarata për t’u përballur me një “urrejtje” të tillë. Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, bëri thirrje për veprime urgjente, duke theksuar se është bërë “e rrezikshme të ecësh hapur si hebre në rrugët e Londrës”.
“Kjo nuk është një ngjarje e izoluar. Ka pasur një seri sulmesh antisemite,” tha kryeministri britanik Keir Starmer, i cili më herët e kishte cilësuar sulmin si “krejtësisht të tmerrshëm”.
Starmer shtoi se qeveria duhet të rrisë më tej fondet për sigurinë e komuniteteve hebraike dhe të përballet me atë që ai i quajti “aktorë shtetërorë armiqësorë”.
Një zëdhënës i Mbretit Charles bëri të ditur se monarku është “plotësisht i informuar dhe thellësisht i shqetësuar”, veçanërisht për ndikimin mbi komunitetin hebraik.
“E KUPTUESHME PSE HEBRENJTË NË LONDËR NDIHEN TË FRIKËSUAR”
Rowley tha se do të diskutojë me qeverinë për masa shtesë mbështetëse.
“Është plotësisht e kuptueshme pse hebrenjtë në Londër ndihen të frikësuar. Komunitetet hebraike janë të zemëruara, dhe me të drejtë. Ka pasur shumë sulme,” u shpreh ai.
Detektivët po hetojnë nëse zjarrvëniet e muajit të fundit kanë lidhje të mundshme me Iranin, mes paralajmërimeve se ky shtet ka tentuar të përdorë ndërmjetës kriminalë për aktivitete armiqësore në Britani.
Të martën, Britania thirri ambasadorin iranian për shkak të komenteve që i cilësoi si “të papranueshme dhe nxitëse” nga ambasada iraniane në rrjetet sociale.
Grupi pro-iranian Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiyya (HAYI) ka marrë përgjegjësinë në rrjetet sociale për sulmet me thikë të së mërkurës, pasi më herët kishte pretenduar edhe sulme të ngjashme zjarrvënieje në Londër dhe në Evropë.
Policia ka deklaruar se po i verifikon këto pretendime, por ende nuk ka konfirmuar vërtetësinë e tyre.
“Ne e dimë se disa individë po nxiten, binden ose paguhen për të kryer akte dhune në emër të organizatave të huaja dhe shteteve armiqësore,” tha Rowley.
Gjatë muajit të fundit, policia ka arrestuar më shumë se dy duzina persona në lidhje me sulme ndaj objekteve të lidhura me komunitetin hebraik, përfshirë djegien e ambulancave hebraike dhe tentativa për zjarrvënie ndaj sinagogave.
Zona Golders Green në veri të Londrës, e njohur për një popullsi të madhe hebraike, ka qenë një nga vendet e prekura, së bashku me zona pranë ambasadës izraelite në perëndim të qytetit.
Sulmet antisemite janë rritur globalisht që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023, i cili çoi në luftën në Gaza. Ndër rastet më të rënda përfshihet edhe një sulm me armë zjarri gjatë një feste Hanukkah në plazhin Bondi, ku humbën jetën 15 persona në dhjetor të vitit të kaluar.

