Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të enjte në rrjetin social “X”, duke iu referuar raportit të SIGMA-OECD për Agjencinë për Media dhe Informim (MIA).Në reagimin e tij, Rama thekson se institucioni është vlerësuar pozitivisht në një raport ndërkombëtar, duke kundërshtuar, sipas tij, kritikat e mëparshme ndaj rolit të kësaj agjencie.Më poshtë, reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
“Deri dje e bombarduan dhe përbaltën nga të katër anët, ca nga brenda e ca nga jashtë, duke vënë kujën e duke harxhuar bojë kot, për raportet e tyre të pavarura jo vetëm nga qeveria, po edhe nga faktet… Por ja që e vërteta qenkesh ndryshe, shumë ndryshe, sepse kjo Agjencia për Media dhe Informim e qeverisë, e pagëzuar në lindjen e saj me bombat e me baltën e pushtetit të katërt, luaka një rol krejt tjetër, e na qenka në shërbim cilësor të mediave dhe të publikut natyrisht. Dhe këtë nuk po e them më unë. Nuk e thotë as qeveria e një vendi që targetohet rëndom dhe jo rrallë fare kuturu, për lirinë e shtypit. Këtë e thotë raporti i SIGMA-OECD, një ndër ato burime institucionale ndërkombëtare, reputacioni i fortë i të cilave është krijuar mbi respektin për faktet, jo mbi perceptimet, mbi analiza profesionale, jo mbi paragjykime arbitrare, mbi vlerësime objektive të të vërtetave, jo mbi amplifikime subjektive të gjysëm të vërtetave! Urime MIA-s (Media and Information Agency) dhe përgëzime të gjithë skuadrës së saj, për këtë vlerësim të stërmerituar. E vërteta vonon, po nuk harron.”

