Autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar raste të reja me hantavirus te pasagjerë që udhëtuan me anijen turistike MV Hondius, e cila u godit nga një shpërthim vdekjeprurës i virusit.
Sipas autoriteteve amerikane, dy shtetas amerikanë që u kthyen në SHBA pas largimit nga anija kanë rezultuar pozitivë me virusin. Njëri prej tyre shfaqi simptoma të lehta, ndërsa të dy u transportuan në kushte të veçanta sigurie biologjike “si masë paraprake”.
Ndërkohë, ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, bëri të ditur se një grua franceze e kthyer në Paris ka rezultuar gjithashtu pozitive dhe po mbahet në izolim. Gjendja e saj shëndetësore raportohet se është përkeqësuar, ndërsa autoritetet kanë identifikuar 22 persona kontakti.
Më shumë se 90 pasagjerë të anijes, e cila aktualisht ndodhet e ankoruar në Canary Islands, po riatdhesohen në vendet e tyre.
Deri tani, tre pasagjerë – një çift holandez dhe një grua gjermane – kanë humbur jetën pas udhëtimit me anijen. Dy prej viktimave janë konfirmuar se ishin të infektuara me hantavirus.
Sipas ekspertëve, hantavirusi zakonisht transmetohet nga brejtësit, por varianti Andes, që dyshohet se është marrë gjatë një ndalese në Amerikën e Jugut, mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu – një formë më e rrallë e virusit.
Simptomat përfshijnë temperaturë, lodhje ekstreme, dhimbje muskujsh, probleme me stomakun, të vjella, diarre dhe vështirësi në frymëmarrje. Megjithatë, autoritetet ndërkombëtare të shëndetësisë vlerësojnë se rreziku i një shpërthimi të gjerë mbetet i ulët.

