BBC zbulon identitetin e kontrabandistit kyç pas shumicës së kalimeve me gomone drejt Britanisë

albnews
By
7 Min Read

Një kontrabandist i rëndësishëm njerëzish, rrjeti i të cilit besohet se ka organizuar shumicën e kalimeve të paligjshme me gomone nëpër Kanalin Anglez vitet e fundit, është identifikuar nga një hetim i BBC-së.

Kurdi irakian 28-vjeçar kishte shmangur arrestimin për disa vite duke përdorur pseudonimin “Kardo Ranya”. Ai e kishte mbajtur emrin e tij të vërtetë sekret, gjë që kishte penguar autoritetet ligjzbatuese të lëshonin një urdhër-arrest ndërkombëtar.

Mungesa e informacionit mbi identitetin e tij real ua kishte vështirësuar policive europiane gjurmimin e vendndodhjes së tij dhe ndjekjen e hetimeve përtej kufijve kombëtarë.

Megjithatë, përmes kontakteve në botën e kontrabandës, gazetarët e BBC-së ndoqën gjurmët nga kampet e emigrantëve në veri të Francës deri në Kurdistanin Irakian, duke zbuluar identitetin e tij të vërtetë dhe duke e përballur më pas drejtpërdrejt.

“Kardo Ranya” besohet se drejton një rrjet kontrabande me rrugë që shtrihen nga Afganistani deri në Britaninë e Madhe.

Ai e mori pseudonimin nga qyteti Ranya në Kurdistanin Irakian, zonë që sipas një raporti të vitit 2024 nga think tank-u britanik Chatham House është “e mbushur me rrjete aktive kontrabande”.

Sipas Dan Cannatella-Barcroft, zëvendësdrejtor i përkohshëm në Agjencinë Kombëtare Britanike të Krimit (NCA), “shumica e modelit kriminal të gomoneve të vogla kontrollohet nga kurdët”.

Kjo u konfirmua edhe nga një kontrabandist në një kamp emigrantësh në Francë, i cili tha se rrjeti që kontrollon trafikun në Kanal shpesh quhet “Ranya Boys”.

Edhe pse emri i tij i vërtetë mbahej sekret, “Kardo Ranya” nuk hezitonte të shfaqej në rrjetet sociale për të reklamuar shërbimet e tij si kontrabandist. Ai postonte video që promovonin një jetë luksoze në Londër dhe dëshmi të emigrantëve që pretendonin se kishin mbërritur me sukses në Britani.

Një ish-kontrabandist tha për BBC se rrjeti i tij tarifonte rreth 17,000 euro (15,000 paund) për të transportuar një emigrant nga Iraku në Britani. Edhe pse më i shtrenjtë se rivalët, rrjeti pretendonte se ofronte një udhëtim më të sigurt dhe madje një shërbim VIP për ata që paguanin më shumë.

Megjithatë, rruga e gjatë përmes Lindjes së Mesme dhe Europës është e paligjshme dhe shpesh shumë e rrezikshme. Për shumë emigrantë, ajo ka rezultuar fatale.

Kalimet me gomone janë bërë mënyra më e zakonshme për hyrje të paligjshme në Britani që prej vitit 2020. Pothuajse të gjithë ata që mbërrijnë kërkojnë azil, duke pretenduar se nuk mund të jetojnë të sigurt në vendin e tyre për shkak të përndjekjes apo dhunës.

Shumica dërrmuese e personave që kalojnë Kanalin janë nën 40 vjeç dhe rreth 9 në 10 janë burra ose djem.

Në një kamp emigrantësh në Francë, BBC dëgjoi historinë e Shwana, një 24-vjeçar nga Ranya, i cili kishte bërë rrugën drejt Kanalit Anglez vitin e kaluar.

Në nëntor, ai ishte futur në një gomone me rreth 100 persona, edhe pse mjeti ishte projektuar për më pak se 20. Kontrabandistët i shtynë emigrantët në det, ndërsa vetë mbetën në breg.

Gjatë rrugës, gomonia filloi të fundosej. Shumica u shpëtuan nga roja bregdetare franceze dhe u kthyen në Francë, por katër persona rezultojnë të zhdukur, mes tyre edhe Shwana, trupi i të cilit nuk u gjet kurrë.

Sipas një bashkëudhëtari të tij, udhëtimi ishte koordinuar përmes një grupi në WhatsApp, dhe numri i telefonit i përdorur nga kontrabandistët shfaqej gjithashtu në reklamat e “Kardo Ranya”.

Familja e Shwana-s në qytetin Ranya tha se ai ishte ndikuar nga reklamat që premtonin një jetë më të mirë në Britani.

Papunësia e lartë dhe mungesa e perspektivës në Kurdistanin Irakian kanë bërë që shumë të rinj të joshen nga grupet kriminale për të rrezikuar gjithçka drejt Europës.

Ministri i Brendshëm i rajonit, Dr Hemn Merany, tha:

“Zëri i kontrabandistëve është më i fortë sesa zëri i medias dhe i qeverisë.”

Në qytetin Ranya është ngritur një muze i vogël kushtuar personave lokalë që kanë humbur jetën gjatë rrugës së emigrimit drejt Europës. Pronari i tij, Bakra Ali, jeton nën mbrojtje policore 24 orë, pasi ka marrë kërcënime me vdekje nga kontrabandistët lokalë.

Kur gazetarët i treguan një foto të “Kardo Ranya”, ai e njohu menjëherë dhe i ndihmoi të lidhen me kontrabandistë të nivelit më të ulët.

Pas disa ditësh komunikimi në WhatsApp, një prej tyre dërgoi një dokument me foton e “Kardo Ranya”, datën e lindjes dhe emrin e tij të vërtetë:

Kardo Muhammad Amen Jaf.

Gazetarët më pas kontaktuan numrin që besohej se përdorej nga rrjeti i tij. Përmes një përkthyesi që u paraqit si emigrant potencial me para, atyre iu ofrua një paketë VIP prej 160,000 paundësh për të transportuar të gjithë familjen në Britani me avion, përmes një aeroporti jashtë Londrës.

Disa ditë më vonë, vetë Jaf telefonoi.

Kur u përball me akuzat, ai mohoi të ishte kontrabandist, duke pretenduar se kishte dhënë vetëm “këshilla” për largimin nga Iraku dhe se nuk besonte të kishte kryer ndonjë vepër penale.

I pyetur për përfshirjen e tij në udhëtimin ku humbi Shwana, Jaf pranoi se dinte për personat e zhdukur, por mohoi çdo përgjegjësi.

Pas telefonatës, numri u çaktivizua.

Ndërkohë, një bashkëpunëtor i tij, Noah Aaron, pjesëtar i grupit Ranya Boys, është dënuar me 10 vite burg në Francë për pastrim parash dhe organizim të hyrjes së paligjshme të emigrantëve.

Sipas sindikatës britanike të shërbimeve të emigracionit, pas Brexit, bashkëpunimi dhe shkëmbimi i të dhënave kriminale me vendet europiane është bërë më i vështirë, duke komplikuar identifikimin dhe ndjekjen e personave të kërkuar.

Megjithëse vendndodhja aktuale e Kardo Muhammad Amen Jaf mbetet e panjohur, zbulimi i identitetit të tij të vërtetë mund ta bëjë shumë më të vështirë lëvizjen e tij të fshehtë në të ardhmen. Ai aktualisht kërkohet për t’u marrë në pyetje nga të paktën një forcë policore europiane.

Share This Article