Të martën në Amsterdam me fillim nga ora 18:00 do të hedhet shorti për edicionin 2020/2021 të Ligës së Kombeve.
Kosova është ngritur në Ligën C të Ligës së Kombeve dhe gjendet në vazon e dytë në short për këtë division. Kosovën mund ta pres një ballafaqim eventual me Shqipërinë. Ndihmës-trajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti shpreson të shmanget kjo.
“Shpresojmë të shmangim një përballje me Shqipërinë. Kemi luajtur më herët me Shqipërinë, por shpresojmë të mos jemi në një grup. Mirëpo, nuk i dihet, është short. Ka derbi edhe nëpër qytete, kështu që është vetëm futboll”, ka thënë Sahiti për “Koha.net.
Në vazon e parë në short për Ligën C pos Shqipërisë, është edhe Greqia, Mali i Zi e Gjeorgjia.
Në vazon e dytë gjenden Maqedonia e Veriut, Kosova, Bjellorusia dhe Qipro. Në të tretën, Estonia, Sllovenia, Lituania e Luksemburgu, ndërsa në vazon e katërt janë Armenia, Azerbajxhani, Kazakistani e Moldavia.