Ka shkuar në 10 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri. Lajmin e dha zv.Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, në një konferencë për shtyp.
Rakacolli shtoi se dy raste janë të palidhura me ‘pacientin zero’ i cili infektoi të paktën të atin dhe 6 persona të tjerë. Ndërkohë zv.Ministrja Mira Rakacolli u shpreh se njëri prej të prekurve të rinj ndodhet i hospitalizuar në spitalin e Durrësit, por nuk dha detaje të mëtejshme.
“Deri sot janë testuar 114 raste të dyshuar, prej të cilëve vetëm 10 janë pozitiv. Ato që kanë qenë dje, 6 që janë kontakte të këtyre të sëmurëve dhe dy raste të reja të palidhura me këto raste. Një që është i shtruar në Infektiv dhe ka një histori udhëtimi në Milano një ditor, dhe një në spitalin e Durrësi”, tha zv.Ministrja e Shëndetësisë, Rakacolli.
Ndërkohë drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico, u bëri apel të përsëritur qytetarëve për masat që duhet të marrin mbi higjienën personale.
“Larjen e duarve më shumë se 20 sekonda, përdorimin e dezinfektantëve, respektimin e higjienës respiratore, përdorimin e facoletës, pas kollitjes dhe teshtimave dhe pasi e përdorim ta hedhim në kosh me kapakë të mbyllur. Të zbatojmë rregullin e distanimit social, por të gjithë jemi të informuar që një nga mënyrat e përhapjes janë spërklat në kontakte direkte dhe jo e ajrit”, tha Fico.
Shefi i ugjencës Skënder Brataj ka dhënë disa deklarata ‘të sinqerta’ duke u shprehur se gjasat janë që virusi do të përhapet dhe në një mënyrë të shpejtë.
“Është normale të ketë shqetësim, të ketë panik. Është detyra jonë të informojmë çdo qytetar. Nuk fshihem, patjetër që do të ketë rritje të numrit të personave, jemi në fillimin e një pamdemie botërore. Janë disa gjëra që ne i njohim. Është trefishuar numri i njerëzve që marrin urgjencën. 83% e njerëzve nuk shfaqin simptoma dhe mbi 90% e rasteve që shfaqin simptoma kurohen në shtëpi. Ne duam bashkëpunim dhe mirëkuptim ti përgjigjmi kësaj situate. Duhet të të jemi të ndërgjegjshëm, të qëndrojmë në shtëpi. E parandaloi Kina, i mori masat Italia. Nuk ka rrugë tjetër, nuk është vetëm forca dhe ligji. Duhet të izolojmë kontaktet. Edhe unë nuk e di nëse jam apo jo i infektuar. E pamë dhe në Itali që një nga politikanët ishte i infektuar. Është betejë që duke ndjekur rregullat mund ta fitojmë. Të gjitha statistikat e kanë sjellë që 95% për qind shërohen. Sa më mirë ti përgjigjemi apeleve tona, 127 do t’u jape informacionet dhe mbështetjen, por jo në spital. Është e njëjta gjë siç na ndodh sezoni i gripit çdo vit. Sot do të mblidhet komiteti për masat e mëtejshme. Nuk ka mjekim për njerëz simptomatik edhe pse janë pozitiv me koronavirusin. Ka mjekim vetëm për personat simptomatik:, tha Brataj.