Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokartike të Kosovës, Skender Hyseni, ka takuar të martën në Washington emisarin e posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.
Sipas postimit në Facebook, Hyseni e ka siguruar Grenellin se LDK-ja nuk do të lejojë që të prishet marrëdhënia mes dy vendeve.
Hyseni ia ka sqaruar Grenellit qëndrimin e LDK-së rreth taksës ndaj Serbisë, të cilën kryeministri Albin Kurti po heziton ta anulojë. E qëndrimi i LDK-së, sipas Hysenit, është në të njëjtën linjë me SHBA-në: taksa duhet të hiqet menjëherë.
Grenelli dhe zyrtarë tjerë të lartë amerikanë kanë shtuar presionin ditëve të fundit ndaj Qeverisë Kurti për të hequr taksën ndaj mallrave të Serbisë.
Ja postimi i plotë i Hysenit në Facebook:
“Sot pata një takim të gjatë me Ambasadorin Richard Grenell në Shtëpine e Bardhë në Washington
Me autorizimin e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, sot, në cilësinë e anëtarit të Kryesisë dhe Sekretarit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të LDK-së, u prita në Shtëpinë e Bardhë në Washington nga i Dërguari i Posaçëm i Presidentit Trump, Ambasadori Richard Grenell.
Gjatë një takimi të gjatë dhe shterues, bisedën e përqendruam në aspekte të veçanta të zhvillimeve në Kosovë dhe rajon.
I përkushtuar fuqishëm për të çuar Kosovën dhe rajonin përpara drejt një zhvillimi dinamik ekonomik, Shtëpia e Bardhë dhe Ambasadori Grenell kërkojnë me ngulm heqjen e menjëhershme dhe pa kushte të tarifës ndaj mallrave nga Serbia, që t’i hapet rrugë dialogut Kosovë-Serbi, i cili duhet dhe do të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.
Amerika është aleat i palëkundshëm i Kosovës dhe popullit të saj dhe mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj interesave jetike të saj.
Por, Amerika nuk mund ta mbrojë Kosovën nga vetvetja, përkatësisht nga sjelljet e papërgjegjshme të Qeverisë dhe liderëve të saj, ishte mesazhi i Ambasadorit Grenell, duke shtuar se Amerika nuk mund të vazhdojë të shpenzojë qindra miliona dollarë për ushtri dhe ndihma e projekte tjera në një vend ku qeveria punon kundër interesave të qytetarëve të saj.
E sigurova Ambasadorin Grenell se për LDK-në dhe popullin e Kosovës, partneriteti strategjik dhe miqësia e veçantë me SHBA-të janë të shenjta dhe të pazëvendësueshme.
LDK kurrë nuk do të lejojë qe ky partneritet të prishet.
LDK mbetet e përkushtuar dhe e vendosur që të koordinohet dhe harmonizohet ngushtë me SHBA-të në çdo fushë.
LDK pajtohet dhe mbron qëndrimin që tarifa të hiqet menjëherë dhe pa kushte, ashtu siç kërkohet nga Presidenti Trump.
Partneriteti me Amerikën nuk ka alternativë”.