Eurodeputeti Fleckenstein: Po humbas durimin nga qëndrimi i deputetëve të opozitës

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka zhvilluar një takim me eurodeputetët që kanë mbërritur në Tiranë për të diskutuar zgjidhjen e mundshme të krizës politike në vend.

Më i ashpri prej eurodeputetëve është shfaqur raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein.

“Po humbas durimin nga qëndrimi i deputetëve të opozitës. Protestat duhet të ruajnë qetësinë, pasi pamjet e dhunës në protesta vonojnë integrimin e vendit. Për më tepër, zonja e parë e vendit nuk duhet të pengojë negociatat. I bëjmë thirrje Këshillit Europian të vlerësojë arritjet e Shqipërisë”, ka thënë Knut Fleckenstein, eurodeputet gjerman.

Disi më i butë, por jo pak kritik, është shfaqur edhe Tunne Kelam. “PE mbetet mbështetës i madh i anëtarësimit të Shqipërisë. Përpjekjet për të vonuar çeljen e negociatave nuk kanë mbështetjen tonë. Reforma në Drejtësi është thelbësore për qeverisjen dhe besimin e qytetarëve. Është përgjegjësia e të gjithëve ju që të bashkëpunoni për interesin kombëtar, ndërsa ne po largohemi me përshtypje pozitive për arritjet tuaja, por me përshtypje negative për ndarjen politike dhe mungesën e bashkëpunimit”, tha Tunne Kelam.

Ai ftoi politikanët shqiptarë të arrijnë konsensusin dhe t’iu dërgojnë sinjale pozitive për negociatat europarlamentarëve. Një qëndrim që e ndau edhe eurodeputeti Preda. “Kam vëzhguar zgjedhjet e vitit 2017 dhe ishin korrekte. Më 5 mars informojmë PE-në për arritjet tuaja, ndërsa ka ende mundësi që opozita të kthehet në Kuvend. Pas 10 ditësh do të jetë vonë”, tha ai.

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë informoi delegacionin e Parlamentit Europian mbi ecurinë e Shqipërisë deri tani.

“Objektivat për integrimin janë drejt përmbushjes, Reforma në Drejtësi po ecën me shumë sukses. Vettingu është jetik për drejtësinë dhe Shqipërinë, ndaj në qershor, organet e reja të sistemit do të jenë në funksion të plotë. Reforma ka mbështetjen e 99% të shqiptarëve. Sa i përket Reformës Zgjedhore, paketa është depozituar në Kuvend. Parlamenti është legjitim sepse vjen nga zgjedhje të ndershme, teksa ato të 2017-s janë certifikuar nga 100% e numëruesve të opozitës. Edhe pse zgjedhjet kanë probleme, ato zgjidhen në Kuvend, ku ne jemi në dispozicion të opozitës, e cila gëzon të drejta si kurrë më parë”, theksoi Ruçi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply