Kompania e famshme e prodhimit të makinave, gjiganti gjerman BMW deklaroi se po ndalon të gjithë prodhimin në Europë për katër javë, pasi kriza e koronavirusit ndikon kërkesën në tregjet kryesore të automjeteve, prish zinxhirët e furnizimit dhe kërcënon shëndetin e punëtorëve.
“Duke filluar nga sot, ne do të mbyllim fabrikat tona të makinave dhe fabrikën e Rosslynit, në Afrikën e Jugut. Ndërprerja në prodhim planifikohet aktualisht deri më 19 prill”, tha sot shefi ekzekutiv i BMW, Oliver Zipse.
Njoftimi i kompanisë me qendër në Mynih pason lëvizje të ngjashme nga konkurrentët e saj në Gjermani dhe jashtë saj.
Dje, Daimler dhe Volkswagen Group, duke përfshirë filialin e saj Audi, gjithashtu njoftuan ndaljet e përkohshme të prodhimit.
”Tre kompanitë amerikane – General Motors, Fiat Chrysler dhe Ford – gjithashtu do të fillojnë një mbyllje të pjesshme”, tha sindikata e punëtorëve amerikanë.