Jetesa dhe qiratë po bëhen të papërballueshme në Angli/ Bristol tejkalon Londrën

Share

Bristol është bërë qyteti më pak i përballueshëm për qira në Angli, duke lënë pas edhe Greater London, sipas të dhënave më të fundit të Office for National Statistics (ONS) për vitin 2024.

Statistikat tregojnë se qiraja mesatare në Bristol përbën 45% të pagës mesatare të banorëve, ndërsa në Londrën e Madhe kjo shifër është 42%. Megjithëse disa lagje londineze, si Islington dhe Camden, mbeten ndër më të shtrenjtat në vend, rritja e vazhdueshme e qirave në Bristol e ka bërë qytetin më të papërballueshëm në raport me të ardhurat.

Kriza e strehimit po rëndon gjithnjë e më shumë mbi familjet dhe punonjësit, të cilët detyrohen të shpenzojnë një pjesë të madhe të të ardhurave vetëm për qiranë. Shumë banorë paralajmërojnë se, krahas kostove të larta të strehimit, edhe çmimet e ushqimeve, energjisë dhe shërbimeve të tjera bazë kanë rritur ndjeshëm barrën financiare, duke e bërë jetesën gjithnjë e më të vështirë si në Bristol ashtu edhe në Londër.

Një nga qiramarrëset, Emily, e cila punon në sektorin e arsimit, tha se paguan 41% të të ardhurave të saj për një apartament që e ndan me një bashkëbanore. Ajo tregoi se, pavarësisht kostos së lartë, është përballur me probleme të shumta në banesë, përfshirë minjtë, mungesën e ujit të ngrohtë për një muaj dhe mykun e shkaktuar nga dritare të dëmtuara.

Qeveria britanike shpreson se Renters Rights Act, ligji i ri për të drejtat e qiramarrësve, do të ndihmojë në mbrojtjen e qiramarrësve dhe përmirësimin e kushteve të banimit. Megjithatë, ekspertët dhe organizatat e strehimit argumentojnë se nevojiten masa më të gjera për të frenuar rritjen e qirave dhe për të siguruar më shumë banesa të përballueshme, në një kohë kur shumë qytetarë e konsiderojnë jetesën në qytetet kryesore të Anglisë gjithnjë e më të papërballueshme.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit