Sulmet ndaj kryeministrit britanik / BBC: Pas operacionit qëndron rrjeti rus

Share

Një hetim i publikuar nga BBC pretendon se sulmet me zjarrvënie ndaj pronave të lidhura me kryeministrin britanik Keir Starmer në maj të vitit 2025 ishin pjesë e një operacioni më të gjerë sabotimi të lidhur me Rusinë.

Sipas raportit, Roman Lavrynovych, 22 vjeç, shtetas ukrainas, u shpall fajtor për komplot me qëllim kryerjen e zjarrvënies. Hetimi sugjeron se ai ishte rekrutuar dhe drejtuar nga një person i njohur me inicialet “EL”, i cili komunikonte me të përmes mesazheve të koduara.

BBC pretendon se pas sulmit ndaj shtëpisë së Starmerit, “EL” i kishte dërguar një mesazh Lavrynovychit duke i thënë se kishte sulmuar banesën e një personi shumë të rëndësishëm në Britani dhe se duhej të largohej menjëherë nga qyteti.

Sipas hetimit, “EL” u kishte premtuar para dhe madje shtetësi ruse personave të përfshirë në akte sabotimi. BBC thotë se ka identifikuar këtë person si Evgeny Lyukshin, 23-vjeçar, diplomat rus dhe djali i një zyrtari të lartë në Moskë, me lidhje të afërta me strukturat e pushtetit rus.

Sulmet ndodhën në maj 2025, kur fillimisht u dogj një automjet i lidhur me Starmerin, më pas një pronë ku ai kishte jetuar më parë dhe, në fund, shtëpia e tij në Londër. Lavrynovych u arrestua pak orë pas sulmit të fundit.

Megjithatë, autoritetet britanike nuk kanë deklaruar zyrtarisht se shteti rus qëndron pas këtyre sulmeve. Ndërkohë, Moska ka mohuar çdo përfshirje në këtë çështje.

Hetimi i BBC-së e paraqet rastin si pjesë të një fushate më të gjerë destabilizimi dhe sabotimi në Evropë, e cila, sipas mediumit britanik, lidhet me interesat e Kremlinit.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit