E Ngarkuara me Punë e SHBA-së në vendin tonë Nancy VanHorn, këtë të hënë ishte e pranishme në prezantimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë mbi Investimet e Huaja Direkte.
Në fjalën e saj VanHorn deklaroi se ndryshimi i kuadrit ligjor për investimet e huaja të Shqipërisë nuk është thjesht një ushtrim burokratik, është një deklaratë strategjike.
“Kuadri i shqyrtimit të IHD-së (Investimeve të Huaja Direkte) të Shqipërisë nuk është thjesht një ushtrim burokratik – është një deklaratë strategjike. Tregon se Shqipëria është e hapur për biznes, por në një mënyrë që mbron interesat kombëtare të Shqipërisë dhe plotëson standardet ndërkombëtare”, tha ajo.
VanHorn deklaroi se investitorët kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk veprojnë sipas të njëjtave rregulla.
Ajo tha se qëllimi i miratimit të ndryshimeve ligjore është të mbrojë komunitetin e biznesit.


