Nuk janë vetëm veteranët si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo që po lënë gjurmë në Kupën e Botës 2026. Turneu i zhvilluar në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada po shërben gjithashtu si skenë për një brez të ri talentësh që po luajnë pa frikë dhe po tërheqin vëmendjen e botës.
Nga 85 futbollistë të moshës 21 vjeç e poshtë të përzgjedhur për turneun, shumë prej tyre kanë shfrytëzuar momentin dhe kanë treguar pjekuri të jashtëzakonshme në fushë.Senegalezi Ibrahim Mbaye (18 vjeç) u bë golashënuesi i katërt më i ri në historinë e Kupës së Botës, pasi shënoi në humbjen 3-1 ndaj Francës.
Vetëm pesë ditë më vonë, spanjolli Lamine Yamal (18 vjeç) realizoi gol në fitoren 4-0 ndaj Arabisë Saudite, duke konfirmuar statusin e tij si një nga talentët më të mëdhenj të turneut.
Nga ana tjetër, meksikani Gilberto Mora shkroi histori duke u bërë lojtari më i ri që përfaqëson një vend pritës në Kupën e Botës, në moshën vetëm 17 vjeç e 240 ditë.
Talente që po shpërthejnë në skenën botërore
Ayyoub Bouaddi (Marok, 18 vjeç)
Mesfushori i Lille tregoi qetësi dhe kontroll në debutimin ndaj Brazilit, duke realizuar 66 pasime dhe duke diktuar ritmin e lojës.
Yan Diomande (Bregu i Fildishtë, 19 vjeç)
Anësori i RB Leipzig ka tërhequr interes nga klube si PSG dhe Liverpool. Driblimet dhe kreativiteti i tij kanë qenë vendimtarë në kualifikimin historik të Bregut të Fildishtë në fazën e 1/8-ave.
Johan Manzambi (Zvicër, 20 vjeç)
Mesfushori ofensiv ka qenë një nga zbulimet e turneut, duke shënuar tri gola dhe një asistim.
Ai madje hyri në histori si një nga pak lojtarët nën 21 vjeç me më shumë se tre kontribute goli në një Botëror modern.
Kerim Alajbegovic (Bosnje dhe Hercegovinë, 18 vjeç)
Ai realizoi një gol spektakolar nga distanca, duke hyrë në histori si lojtari më i ri që shënon nga jashtë zone në Kupën e Botës që nga viti 1966.
Nestory Irankunda (Australi, 20 vjeç)
Sulmuesi shënoi në debutimin e tij në Botëror dhe u bë lojtari më i ri që shënon për Australinë në këtë kompeticion.
Historia e tij personale i lindur në një kamp refugjatësh në Tanzani e bën edhe më të veçantë rrugëtimin e tij.
Ky Botëror po konfirmon një realitet të ri: futbolli po kalon gradualisht në duart e gjeneratës së re.


