Një avion i vogël u përplas pasditen e së premtes me ndërtesën më të lartë të Pekinit, duke shkaktuar alarm në zemër të kryeqytetit kinez. Incidenti ndodhi në kullën 109-katëshe CITIC Tower, e njohur edhe si China Zun, ndërsa pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë mbetje të avionit që bien nga godina, përfshirë pjesën e bishtit, si edhe një taksi me xham të thyer nga copëzat e rrëzuara.Sipas gazetarëve të CNN në vendngjarje, qindra persona u evakuuan nga ndërtesa, ndërsa në zonë mbërritën zjarrfikëse, automjete policie dhe ambulanca. Deri tani autoritetet kineze nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare mbi shkaqet e aksidentit apo nëse ka viktima ose të lënduar.
Fotografitë e publikuara në internet tregojnë se avioni ishte një Sunward SA60L Aurora, një mjet i lehtë fluturues i prodhuar në Kinë, në pronësi të një kompanie vendase të aviacionit të përgjithshëm që ofron trajnime për pilotë, fluturime rekreative dhe fotografi ajrore.
Të dhënat paraprake të publikuara nga platforma Flightradar24 tregojnë se avioni devijoi ndjeshëm nga itinerari i tij menjëherë pas ngritjes nga aeroporti në Pekin.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh, pasi Pekini zbaton masa shumë të rrepta për fluturimet mbi qytet. Që nga 1 maji, përdorimi i dronëve është ndaluar pa autorizim qeveritar, ndërsa fluturimet mbi zonën qendrore të biznesit janë jashtëzakonisht të kufizuara


