Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një zjarri të madh që shpërtheu të mërkurën në mëngjes në një pallat apartamentesh në zonën Linkeroever të Antverpit, në Belgjikë.Ndërtesa 10-katëshe, ku jetonin më shumë se 200 persona, u evakuua menjëherë pas përhapjes së flakëve. Sipas autoriteteve, disa banorë kanë pësuar plagë të rënda dhe janë transportuar në spitale, ndërsa të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore në vendngjarje.
“Pak para orës 10:00 të mëngjesit, një zjarr shpërtheu në një pallat apartamentesh në August Vandermeylelaan, në Linkeroever. Shpejt u bë e qartë se bëhej fjalë për një zjarr serioz. Ka disa persona të plagosur rëndë dhe disa të tjerë me lëndime më të lehta, të cilët po marrin trajtim mjekësor në vendngjarje. Fatkeqësisht, ka edhe viktima. Për momentin, zjarrfikësit po vijojnë kontrollin e ndërtesës për të parë nëse ka ende persona brenda”, deklaroi Kim Bastien, zëdhënëse e policisë së distriktit të Antverpit.


