Çerekfinalja Angli–Norvegji në hije të virusit, probleme shëndetësore në të dy kampet

Share

Anglia dhe Norvegjia po përballen me probleme shëndetësore vetëm pak ditë para përballjes së madhe në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet të shtunën në Miami.

Sipas Daily Mail, mesfushori kryesor i Anglisë, Declan Rice, është prekur nga një virus dhe është izoluar nga pjesa tjetër e skuadrës për të parandaluar përhapjen e infeksionit.Lojtari i Arsenalit ka humbur dy seanca stërvitore radhazi për shkak të sëmundjes, ndërsa Federata Angleze e Futbollit ka marrë masa të menjëhershme duke e mbajtur larg grupit. Në kampin anglez besojnë se situata është nën kontroll dhe virusi nuk është përhapur te pjesa tjetër e ekipit.Rice kishte pasur më herët edhe probleme fizike me kofshën dhe shpinën e poshtme, ndërsa mungesa e tij në çerekfinale do të ishte një goditje e madhe për trajnerin e Anglisë.

Por edhe Norvegjia nuk ka shpëtuar nga problemet shëndetësore. Portieri Orjan Nyland ka konfirmuar se disa lojtarë janë prekur nga sëmundja, ndërsa mjeku i ekipit është duke punuar intensivisht për ta menaxhuar situatën.

“Është e vërtetë, kemi pasur probleme. Po bëjmë gjithçka që mundemi dhe mjeku ynë është shumë i zënë për momentin. Shpresojmë që gjithçka të jetë mirë dhe të përballemi me Anglinë me një ekip plotësisht të gatshëm”, deklaroi Nyland.

Dy lojtarë norvegjezë kanë humbur tashmë ndeshje për shkak të sëmundjes, ndërsa trajneri Stale Solbakken është parë duke kollitur gjatë konferencës për shtyp.

Sulmuesi Jorgen Strand Larsen kishte munguar në ndeshjen e parë të turneut për shkak të sëmundjes, ndërsa Marcus Holmgren Pedersen nuk ishte pjesë e skuadrës në sfidën ndaj Brazilit.

Angli – Norvegji pritet të jetë një nga përballjet më interesante të çerekfinaleve, por para duelit në fushë, të dyja kombëtaret po luftojnë edhe me një kundërshtar tjetër: virusin. 

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit