Një influencuese braziliane 26-vjeçare ka humbur jetën pasi ra nga apartamenti i saj luksoz në katin e 27-të të një ndërtese në Dubai.
Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur ndërsa partnerja e saj, Barbara Abrantes, ndodhej aty pranë. Pas incidentit, Barbara i ka dërguar një mesazh zanor një mikeshe, duke shprehur shqetësim dhe duke kërkuar që familja e saj të mos informohej menjëherë për detajet.
Viktima është identifikuar si Kauana Bilhar, e cila ishte e njohur në rrjetet sociale për përmbajtje rreth modës, udhëtimeve dhe stilit luksoz të jetesës.
Autoritetet në Dubai po hetojnë rastin dhe ende nuk kanë përcaktuar përfundimisht rrethanat e vdekjes. Hetuesit po shqyrtojnë mundësi të ndryshme, përfshirë një aksident, vetëvrasje, vrasje ose krim të lidhur me gjininë.
Familja e Kauanës ka konfirmuar vdekjen e saj dhe ka ndarë një mesazh zie, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur se çfarë ka ndodhur në apartament.


