SHBA kërkon që Irani të deklarojë publikisht se Ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe të premtojë ndalimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare, si pjesë e negociatave që pritet të zhvillohen të shtunën në Oman.
Mediet amerikane, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, raportuan se Teherani e ka pranuar privatisht te këshilltarët e presidentit Donald Trump se të shtënat ndaj anijeve ishin një gabim, megjithëse iranianët thuhet se ia kanë atribuar fajin një grupi të brendshëm të pakontrolluar.
Trump ka thënë se të dyja palët kanë rënë dakord të vazhdojnë bisedimet, pavarësisht luftimeve të kësaj jave rreth Ngushticës së Hormuzit, të cilat Shtëpia e Bardhë i konsideroi si shkelje të armëpushimit.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi tha se vendi i tij “e ka mbajtur fjalën” për armëpushimin, duke shkruar në platformën X se SHBA-ja e kishte shkelur marrëveshjen.
Në qershor, SHBA-ja dhe Irani nënshkruan një marrëveshje armëpushimi, sipas së cilës Irani, ndër të tjera, do t’u siguronte kalim të sigurt anijeve tregtare.
Teherani tha se një “sekt i gabuar” i ekstremistëve brenda rrymave të ashpra po përpiqej të dëmtonte negociatat duke qëlluar ndaj anijeve tregtare, sipas zyrtarëve të lartë amerikanë që folën për CBS News, partnerin amerikan të BBC-së.
Një zyrtar i tha rrjetit televiziv:
“Ata (iranianët) u kthyen në tryezën e bisedimeve dhe thanë: ‘Ne gabuam. Bëmë një gabim. Le të vazhdojmë të flasim.’”
Në negociatat e së shtunës pritet të udhëheqin delegacionin amerikan nënpresidenti JD Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe dy persona që kanë qenë shumë të përfshirë në bisedimet për Lindjen e Mesme – i dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner.
Edhe Araqchi pritet të marrë pjesë në bisedime.
Në një konferencë me gazetarët të premten, zyrtarët amerikanë thanë se një mesazh për udhëheqjen iraniane ishte përcjellë përmes ndërmjetësuesve rajonalë, duke i kërkuar Iranit të publikojë një deklaratë ku të shpallë se ngushtica është e hapur dhe se do të ndalojë të shtënat ndaj anijeve tregtare, sipas disa raportimeve mediatike.
“Ose do të na japin atë deklaratë, ose për ta nuk do të ketë një rezultat të mirë”, tha një zyrtar, i cituar nga agjencia e lajmeve Reuters.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu kërkon që Irani të pranojë publikisht se sulmet me armë ndaj anijeve ishin një gabim, raportoi CBS News.


