Një vajzë 8-vjeçare ishte mes tre anëtarëve të një familjeje me origjinë polake që u gjetën të vdekur në një banesë në zonën Old Cullybackey Road në Ballymena, në një ngjarje që policia po e heton si një vrasje e dyfishtë e ndjekur nga një vetëvrasje të dyshuar.
Sipas Policisë së Irlandës së Veriut (PSNI), viktimat janë një vajzë 8-vjeçare, një burrë 41-vjeçar dhe një grua 39-vjeçare. Oficerët u thirrën në vendngjarje rreth orës 08:50 të mëngjesit pas një njoftimi për një vdekje të papritur, ku u përballën me atë që e përshkruan si një “skenë tronditëse”.
Komandanti i policisë për zonën, William Calderwood, deklaroi se hetuesit po presin rezultatet e autopsisë, por hipoteza kryesore në këtë fazë është se bëhet fjalë për një vrasje të dyfishtë të ndjekur nga vetëvrasja. Ai theksoi se nuk ka rrezik për publikun dhe se policia nuk është në kërkim të ndonjë personi tjetër në lidhje me rastin.
Autoritetet kanë njoftuar Konsullatën Polake dhe po ofrojnë mbështetje për familjarët e viktimave. Ndërkohë, policia u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin spekulimet dhe ka kërkuar që kushdo që ka informacione, pamje nga kamerat e sigurisë ose regjistrime nga kamerat e automjeteve, t’i dorëzojë ato për të ndihmuar hetimin.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa banorët kanë vendosur lule pranë banesës në shenjë nderimi për viktimat. Hetimet vijojnë.


