Sharmin dhe pozitivitetin i kishte pasur si letërnjoftim kudo, pos aureolës si një nga doajenet e skenës teatrore në Kosovë. E qeshur gjithnjë, e veshur me shije si një zonjë e respektuar, Leze Qena u bë personazhi i dashur për publikun për mbi pesë dekada me radhë.
Fiks 51 vjet më parë, në shfaqjen e “Antigonës”, siç shkruhej në një nga numrat e revistës “Përparimi”, ajo e “plotësoi mungesën e pranisë së Antigonës në skenë”.
Pas një sëmundjeje të rëndë, mëngjesin e ftohtë të së mërkurës ajo është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare.
“Artistja që theu tabutë”
Një çift i pandarë, ajo me bashkëshortin e saj Xhevat Qena, po ashtu aktor, vijoi karrierën e saj si aktore në dhjetëra shfaqje, skeçe e seriale televizive. Me t’u dhënë kumti për largimin e saj nga jeta, njerëz nga politika, arti e kultura kanë vlerësuar trashëgiminë e saj artistike, duke vënë në dukje edhe vlerat e saj jashtë skenës.
Me një minutë heshtje, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nderuar aktoren e shuar, në seancën ku është ngritur mocioni i votëbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, që më pas u votua.
Një fotografi e Qenes ishte vendosur pasditen e së mërkurës në shkallët e TKK-së teksa miq e dashamirë kanë vënë lule e kanë ndezur qirinj. “Ajo theu të gjitha tabutë, duke u ngjitur në skenën e teatrit. Për ne është dhimbje e madhe, dhe e ngushëlloj komunitetin artistik”, ka thënë ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila ka bërë të ditur se varrimi i Qenes do të bëhet sot në orën 17:00 në “Dragodan”.
Ministrja Dumoshi ka kujtuar se masat e ndërmarra nga Qeveria rreth pandemisë së koronavirusit nuk kanë lejuar të ndërmerret diçka.
“Qena ka merituar një përcjellje dinjitoze, ashtu siç na ka dhuruar dashuri me humorin e saj që na ka mbajtur shpirtërisht. Pasi që të kalojë kjo situatë me koronavirusin do të organizohemi dhe do të mbajmë një mbledhje komemorative”, ka thënë ajo.
“Referenca në historinë e aktrimit”
Në ngushëllimin e afishuar në faqen e tij në “Facebook”, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se me pikëllim e ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të artistes së njohur Leze Qena.
“Leze Qena na ka bërë të qeshemi, të qajmë, të duam teatrin e televizionin, të duam artin e jetën, me dekada të tëra. Lezja do t’i mungojë skenës, televizionit, tërë Kosovës. Ngushëllimet më të thella familjes dhe kolegëve të saj”, ka shkruar presidenti Thaçi.
Duke e quajtur si humbje të madhe vdekjen e Qenës, kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar kontributin e saj artistik.
“Ajo gjatë jetës së saj ka pasur një repertor të gjerë teatror, dhe ka luajtur shumë role në kinema e televizion. Një jetë kushtuar artit, është një jetë kushtuar publikut. Kur artistët vdesin, pikëllohemi të gjithë. Por dashurinë dhe respektin artistëve duhet t’ua japim gjatë kohës që janë gjallë, sidomos ne politikanët”, ka shkruar Kurti në faqen e tij në “Facebook”.
Kryekuvendarja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar Qenën si ikonë të skenës teatrore e cila ka lënë një “bagazh të pasur të krijimtarisë së saj”.
“Lezja jonë do të mbetet në kujtimet tona për nga interpretimi brilant në skenën teatrore e filmike dhe për buzëqeshjen e dashurinë që përçonte tek të gjithë. Lezja do të kujtohet ndër breza, sepse shumë të tillë për më tepër se gjysmë shekulli panë dhe mësuan mjeshtërinë e aktrimit nga diva teatrale, e cila ishte e tillë jo vetëm në skenë, por edhe në jetën e përditshme!”, ka shkruar Osmani në faqen e saj në “Facebook”.
Edhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, nëpërmjet një telegrami ngushëllimi ka shprehur keqardhjen për ndarjen nga jeta të aktores.
“Rolet e panumërta dhe të papërsëritshme të saj do të mbesin gjurmë të gdhendura në botën e artit e të aktrimit. Me praninë e saj, ajo e ka pasuruar çdo vepër artistike dhe u ka dhënë peshë roleve që ka zgjedhur t’i mishërojë në veten e saj. Me korpusin e roleve të saj, Lezja ka depërtuar në mesin e secilit prej nesh, duke na dhënë frymëzim, krenari e forcë për të vazhduar e tejkaluar çdo sfidë që kemi kaluar qoftë si individë, por edhe si popull”, ka shkruar ministrja Dumoshi. “Ajo do të jetë një shembull dhe referencë në historinë e artit të aktrimit shqiptar por edhe më larg, se si me përkushtim dhe me shpritmadhësi, veçori të cilat e kanë karakterizuar Lezen, njeriu bëhet i dashur nga të gjithë dhe i pranuar nga secili. Ndarja e Lezes është humbje e rëndë jo vetëm për familjen dhe miqtë e saj, por ikja e saj do të lërë një zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën e Kosovës. Ne i kujtojmë me pietet dhe respekt angazhimin dhe kontributin e saj të çmuar dhënë për kulturën e Kosovës dhe atë mbarëshqiptare”.
Gjithmonë e qeshur
Për drejtoreshën e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli, Qena ishte një profesioniste dhe e përgatitur në profesionin e saj.
“Për Leze Qenën nuk janë të tepërta kurrë fjalët e bukura e të mëdha, sepse e madhe ishte Lezja jonë. Profesioniste, e përgatitur, e pafjalë, me disponimin më të mirë në botë ka punuar gjithmonë. Kurrë nuk e kam dëgjuar as të ankohet për kushtet e punës, as për kohëzgjatjen e xhirimeve, as për asgjë, edhe pse shpeshherë kemi punuar në kushte të vështira”, ka shkruar Basholli, e cila si regjisore kishte punuar me aktoren Qena.
Aktori Shumbin Istrefi ka përkujtuar momentet e bukura me aktoren tashmë të ndjerë. “Pusho e qetë, aktorja jonë Leze Qena. Faleminderit për momentet e bukura që na ke dhuruar, jo vetëm me punën tënde, por edhe në shoqëri. Lezja, gjithmonë e qeshur”, ka shkruar Istrefi.
Aktorja Gresa Pallaska në një prononcim për gazetën ka kujtuar njohjen që kishte pasur me aktoren Qena, që kishte nisur karrierën kur gjyshi i saj, Shani Pallaska, ishte aktor.
“Kam pasur fatin që Lezen ta njoh shumë kohë para se të kisha kënaqësinë që të punoja me të, duke marrë parasysh që ajo ka nisur karrierën në kohën kur gjyshi im ishte aktor. Jam rritur me tregimet dhe historitë për punën e tyre si në teatër e në projekte të ndryshme. Ndërsa kisha fatin që për plot 20 vjet të shijoja së pari miqësinë e gjithashtu edhe punën me një aktore të jashtëzakonshme, Lezen”, ka thënë Pallaska, e cila ka luajtur bashkë me Qenën në serialin “Çka ka shpija”. “Duke pasur raport të afërt, natyrisht që kemi pasur edhe biseda e shaka të ndryshme, që sot po me vijnë në mend gjatë gjithë kohës e që nuk do t’i harroj kurrë. Po qesh mes lotëve kur po i kujtoj shakatë e saj kur fliste për vdekjen”.
“Në një natë dimri, afër pranverës…”
E lindur më 1 mars të vitit 1935, në Prizren, Leze Spaqi mbaroi shkollimin fillor dhe atë të mesëm në vendlindje, për të vazhduar më pas edhe në Prishtinë.
“Njëherë moti në një natë dimri afër pranverës, mu atëherë kur shkunden plakat, në një shtëpi të vogël romantike ka lind një fëmi. Të gjithë u gëzuan për të, por më së shumti nëna. Linda më 1 mars 1935 në qytetin më të bukur në botë, në Prizren”, kishte thënë ajo katër vjet më parë në emisionin “PRO X” në Kohavision.
Si e dyta në familjen më shumë fëmijë, Qena kishte thënë se ajo kishte qenë gjithherë e përkëdhelura e prindërve të saj.
“Vërtet kushtet nuk kanë qenë sikur sot, por për mua ato ishin shumë të kënaqshme. Kam qenë fëmijë i llastuar prej babait, i cili ma plotësonte çdo dëshirë”, evokonte fëmijërinë e saj në Prizren.
Duke filluar nga viti 1954 si aktore në teatrin Popullor Krahinor (TPK), ajo u shqua me shkathtësitë e saj interpretuese në shfaqjet e zhanrit komedi. Kreacionet më të suksesshme i dha në shfaqjet “Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët”, “Pjata e drunjtë”, “Kur është gruaja memece”, “Hanka”, “Miu në xhep” etj. Ka interpretuar edhe role jo të pakta dramatike, ku shquhet për rolin e Ana Frankut te “Ditari i Ana Frankut”. Në role kryesore ka interpretuar edhe në shfaqjet gjatë viteve ’60 si “Fjala është për banesë”, “Kvej Llan” (në gjuhën serbe), “Kushëriri prej Amerike”, “E shoqja e Hasan Agës”, “Familja e pikëlluar”, “Autobiografia”, “Nuk martohem me pare”, “Tartufi”, “Duart e papastra”, “Othello”, “Antigona”. Në dekadën pasuese, Qena ka interpretuar edhe në inskenime të tjera si “Perkolgjinajt”, “Të ngujuarit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Hotel Kashta”, “Zëri i ndërgjegjes njerëzore” etj.
Pos përvojës së gjatë në skenën teatore në vend, aktorja Qena do të bënte emër edhe në miniseri televizive e komedi. “Po e zëm, po e zëm” (1970), “Ditari i Lec Pazhecit” (1975), “I ikuri” (1980), “Qesh e ngjesh” (1982), dhe “Shkolla e fshatit” (1987) ishin disa prej performancave të njohura të Qenës me të cilat bëri për vete simpatinë e publikut.
Duke i evokuar vitet e rinisë, Qena thoshte se nuk e kishte menduar asnjëherë rrugën e aktores.
“Nuk është që nuk e kam dashur, por nuk kam guxuar për shkak se mendoja se për aktore nevojitej të ishe e gjatë, e bukur, alla-Sophia Loren. E pata fshirë krejtësisht nga mendja. Dëshira ime ishte të bëhesha balerinë, por kushtet ishin të atilla që nuk m’u plotësua ajo dëshirë”, kishte thënë ajo para disa vjetësh.
Një profesioniste e vërtetë
Në ditëlindjen e vet të 75-të, më 2010, ajo do të ringjiste shkallët e teatrit me shfaqjen “Macja mbi çatinë e nxehtë”, nën regji të Florent Mehmetit.
“Lezen e kam njohur qysh prej fëmijërisë jo nga afër, por nga veprat e saj në teatër dhe televizion”, e ka kujtuar regjisorja Burbuqe Berisha, e cila kishte punuar si menaxhere e kësaj shfaqjeje. “Më vonë jam njoftuar me të. Jam e lumtur që njoha një profesioniste të vërtetë e njeri të mirë në të gjitha segmentet e jetës. Ajo do t’i mungojë jo vetëm teatrit, por edhe televizionit. Lezja ka qenë njeri i dashur dhe i pranuar nga secili. Njeri i dashur ka qenë edhe për mua dhe ajo do të lërë një boshëllëk të madh në jetën tonë”, ka thënë Berisha të mërkurën për KOHËN.
“Kur vidhnim dashuri”
Në emisionin “N’Gas’z” të gazetarit Lekë Rezniqi, në nëntor të vitit 2018, Qena kishte ndarë për publikun momente nga jeta e saj në skenë.
“Publiku kur vinte në Teatër vishej sikur të shkonte në Operë. Nuk kishte vend tjetër ku të shkoje e të rregulloheshe. Asnjëherë nuk vinin femrat me kostume të njëjta. Pas çdo pauze të shfaqjes ato dilnin dhe shihnin njëra-tjetrën. Ishte si një revy mode. Kishte atmosferë të këndshme. Kënaqeshim ne, por kënaqej edhe publiku”, kishte thënë ajo. “Tash asgjë nuk është interesante si atëherë. Çdo gjë është e zbuluar, meqë kur dihet sekreti i punës tënde nuk është më interesant. Asokohe e vidhnim zanatin, libra që nuk guxonim t’i lexonim e vidhnim dashuri kur fshiheshim prej prindërve. Por ajo ishte dashuri më e fortë se sot”.
Të fundit paraqitje në skenën e TKK-së, aktorja veterane e kishte pasur në dhjetor të 2014-s në shfaqjen “Dashnori i nënës sime”, nën regji të Iliriana Arifit dhe tekst të Adem Mikullovcit.
Duke shprehur pikëllimin për ndarjen nga jeta të Qenës, regjisorja Iliriana Arifi ka kujtuar kohën kur ajo kishte pranuar me kënaqësi rolin.
“Mëngjesi i ditës së sotme, përveç dhimbjes që ndjeva, ma kujtoi edhe bisedën e parë me Lezen që pata për angazhimin e saj në shfaqjen që doja ta filloja. U takuam para teatrit dhe morëm nga një gotë raki si fillim. Me kënaqësi pranoi rolin, edhe pse kishte shumë angazhime të tjera”, ka treguar regjisorja Arifi për gazetën. “Ishte e para që vinte në prova dhe e fundit që e lëshonte sallën. Kishte një energji që dukej se nuk do ta shteronte asnjëherë, pavarësisht moshës, dhe po kjo energji ishte motivim për mua dhe për ekipin që të punonim edhe më shumë. Gjithnjë e qeshur, gjithnjë e dashur, e përkushtuar maksimalisht për rolin, për shfaqjen, për kolegët. Do ta kujtoj çdo herë si personin më të dashur që kam njohur në komunitetin tonë artistik”.
“Me rolet e fëmijëve u bëra simpatike”
Por ky “ribashkim” i veteranëve pas njëzet vjetësh kishte bërë që të dy të evokonin përvojën e tyre gjysmëshekullore si aktorë. Siç kishte rrëfyer Qena në një bisedë për numrin festiv të “Kohës Ditore” të 2015-s, nëna e saj nuk e kishte pranuar lehtë vendimin e saj për t’u bërë aktore, përderisa i ati e kishte përkrahur në zgjedhjen e saj. Roli i saj i parë ishte në shfaqjen komedi “Fjala është për banesën”. Në këtë shfaqje ishte edhe Xhevat Qena, dhe roli i parë që ajo luajti ishte dashnorja e Xhevatit.
“M’i futi të dy këmbët në një këpucë dhe më pas dihet. Mirëpo tre ose katër muaj para shfaqjes Xhevati kishte qenë në Prizren në një turne, dhe tek ‘Foto Nesha’ e kishte parë fotografinë time dhe ishte dashuruar në fotografi. I kishte thënë kolegut të tij: ‘Kjo ka me qenë gruaja ime. Dhe ashtu është bërë”, kishte rrëfyer Qena për njohjen me bashkëshortin e saj, Xhevat Qena, aktori i njohur i cili vdiq më 2003.
Në fillim ajo më shumë do të luante role fëmijësh, të djemve në veçanti.
“Ndoshta në atë mënyrë e kam përfituar publikun, sepse fëmijët gjithmonë janë simpatikë, edhe rolet kanë qenë simpatike. Më duket kam mbetur gjithmonë fëmijë, se edhe tash sillen me mua sikur të isha e tillë”, kishte thënë Qena.
“Jeta është e shkurtër, shijoje çdo sekondë”
Edhe kur sëmundja po ia merrte anën, ajo vazhdonte t’i mahniste kolegët me vullnetin dhe energjinë gjatë provave.
Energjike e mban mend aktorja Gresa Pallaska, e cila ka thënë se ajo ishte gjithnjë “motori i secilit projekt” me pozitivitet e energji.
“Edhe atëherë kur shëndeti e tradhtonte ajo vazhdonte të punonte deri në frymën e fundit. Personalisht, do ta ndiej mungesën e saj për kohë të gjatë. Ishte tejet e dashur e me shumë humor”, ka thënë Pallaska. “Gjithmonë në prova vinte duke vallëzuar e kënduar, e kur e pyesja se cili është çelësi i kësaj energjie, gjithmonë thoshte: ‘Mos të bëhet vonë për asgjë, jeta është e shkurtër, shijoje çdo sekondë dhe gjithmonë dëgjoje zemrën dhe ndiq hapat e saj’”.