Në nivel global, pandemia COVID 19 ka prekur mbi 735 000 njerëz, mbi 34 800 prej të cilëve kanë vdekur ndërsa mbi 156 000 janë shëruar. Italia me mbi 10 700 viktima, mbetet shteti me më së shumti raste fatale nga Koronavirusi i ri. Por SHBA-ja vazhdon të mbetet në krye të listës së shteteve me më së shumti raste në botë, me mbi 142 000 të infektuar. Së fundmi, Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se do të zgjerojë masat e distancimit edhe për 30 ditë të tjera. Ai tha se po të mos kishin marrë masa autoritetet, deri tani do të kishin vdekur mbi 2 milion amerikanë dhe u zotua se do të bëjë çmos për ta “mposhtur Koronavirusin” dhe për ta kthyer normalitetin në gjithë botën.
“Asgjë nuk do të ishte më e keqe sesa të deklarosh fitoren përpara se ta arrish. Sa më shpejtë dhe mirë që reagoni, aq më shpejtë do të përfundojë ky ankth. Kështu ne do ta shtyjmë afatin deri më 30 prill për të ngadalësuar përhapjen. Të martën do ta finalizojmë planin dhe strategjinë për amerikanët”-tha Donald Trump, President i SHBA-ve
Do të ishte punë e mirë, tha Trump, nëse numri i të vdekurve në SHBA që tani është mbi 2 000 deri në fund do të ishte mes 100 dhe 200 mijë, shifër kjo të cilën e paralajmëroi kreu i Task Forcave të Shtëpisë së Bardhë kundër Koronavirusit, Antoni Fauci.
“Gjithnjë ka skenar më të mirë dhe më të keq, ndërsa kryesisht e vërteta qëndron në mes. Asnjëherë nuk kam parë që ndonjë prej sëmundjeve me të cilën jam përballë të tejkalojë pritjet. Dua të them se nga ajo që po shohim tani, do të ketë mes 100 dhe 200 000 vdekje në SHBA, ndërsa miliona të infektuar.”-pohoi Antoni Fauci, Task Forcat e Shtëpisë së Bardhë ndaj Koronavirusit.
Ndërkohë edhe situata në Spanjë po përkeqësohet çdo ditë, ku numri i viktimave ka kaluar 7 300-shin, ndërsa ai i të prekurve 85 mijëshin. Në Gjermani janë mbi 62 000 të prekur, ndërsa kancelarja, Angela Merkel synon ta kopjojë modelin jugkorean të luftimit të pandemisë, duke kryer nga 200 000 testime në ditë. Lajmi i mirë vjen nga Kina, ku janë shëruar 75 700 nga gjithsej 81 470 të prekurit.
Ndërkohë nga shtetet fqinje, Kosova ka 94 të infektuar dhe një viktimë; Shqipëria 223 të infektuar dhe 11 viktima. Në Serbi numri i të prekurve ka arritur në 741 dhe ai i viktimave në 13, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ditët e ardhshme do të sjellë vendim për orë policore 24 orëshe e cila do të zgjaste plot 14 ditë, ndërsa nga prilli pagat e punonjësve shëndetësor do të rriten për 10%. Momentalisht, Greqia ka 39 viktima dhe 1156 të prekur, ndërsa Bullgaria 8 viktima dhe 354 të infektuar.