Reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut, Enis Bardhi ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të klubit të tij, Levante.
Futbollisti 24-vjeçar intervistën e ka dhënë nga shtëpia e tij në Spanjë, ku po kalon ditët e izolimit për shkak të koronavirusit.
Bardhi pritet të jetë prej lojtarëve kryesor të Maqedonisë së Veriut në ndeshjen gjysmëfinale të plejofit ndaj Kosovës. Kjo ndeshje është dashur të luhet më 26 mars në Shkup, por është shtyrë për 4 qershor për shkak të koronavirusit. Por me shumë mundësi ndeshja do të shtyhet sërish. Një vendim për këtë pritet të mërkurën.
“Jeta e të gjithëve ka ndryshuar në këta muaj. Por gjëja më e rëndësishme është që njerëzit të ndihen mirë, të shëndetshëm dhe të qëndrojnë në shtëpi. Kjo javë është dashur të jetë historike për ekipin tim. Ne është dashur të luajmë ndaj Kosovës, dhe në rast të fitores ndaj saj, me Gjeorgjinë apo Bjellorusinë. Por tani duhet të kujdesemi për veten. Ndeshja tashmë është shtyrë dhe do të luhet më 4 qershor. Kështu që na mbetet të përgatitemi maksimalisht dhe të presim”, ka thënë Bardhi, përcjell Koha.net.
Bardhi vlerësohet lojtar i rëndësishëm i Levantes, që garon në La Ligan spanjolle. Ai po vazhdon stërvitjet në shtëpi.
“Duhet të jemi në majë, të ushtrojmë dhe të kujdesemi për veten. Nga klubi na dërgojnë stërvitje të reja çdo javë, me ushtrime që mund t’i bëjmë në shtëpi. Aktualisht shtëpia ime është thuajse palestër, por është puna jonë. Ne jemi profesionistë dhe duhet të mundohemi të krijojmë avantazhe nga kjo situatë. Duhet të bëjmë gjëra pozitive dhe të mendojmë se një ditë do të dalim nga kjo situatë”.
Bardhi ka treguar se prindërit e tij, sidomos nëna, janë të brengosur për situatën. Nëna e këshillon vazhdimisht që mos të dal nga shtëpia.
“Unë këto ditë po lexoj libra dhe po shikoj filma. Po ashtu i shikoj ndeshjet e kaluara dhe mundohem të gjejë gabime, që t’i përmirësoj ato”, ka theksuar Bardhi.
Ai ka treguar se aktualisht po e shikon një serial spanjoll.
“Është serial pak i gjatë, por nuk kemi çka të bëjmë tjetër. Ushtrojmë, shikojmë filma, lexojmë libra dhe flasim me familjet tona. Kështu kalon koha”.