Për të shmangur rrezikun e transmetimit të mundshëm të virusit Kovid-19 në kushte të shpalljes së pandemisë, duke vepruar në përputhje me masat e marra nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë të Veriut për të parandaluar përhapjen e infeksionit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) rekomandon të shmanget përdorimi i aparateve automatike për kafe dhe ujë të cilat vendosen në ambiente publike.
Rekomandimi, sipas AUV-së, i referohet të gjitha subjekteve dhe kompanive të tjera që përdorin aparate të këtilla dhe ku qasje dhe kontakt me ta kanë një grup më i madh njerëzish.
“Si institucion përgjegjës për sigurinë e ushqimit dhe kështu për shëndetin e qytetarëve, vlerësojmë që në kushte të shpalljes së pandemisë me koronavirusin dhe mundësinë e transmetimit të infeksionit përmes kontaktit, duke përjashtuar përdorimin e aparateve automatike të kafesë dhe aparateve të ujit paraqet eliminimin e një prej mundësive për transmetimin e virusit nga një person tek tjetri”, thuhet në kumtesën e sotme nga AUV.