Derisa këndimi po ushtonte mes ndërtesave të qytetit bregdetar shqiptar të Durrësit, familjet dolën në ballkonet e tyre të ronitura, duartrokisnin në dritare dhe vallëzonin në çati.
Grupi i këngëtarëve që serenadojnë në portin e Durrësit janë ndër të vetmit njerëz në Shqipëri që u është dhënë leje e veçantë për të kuturisur përjashta gjatë orëve të karantinës. Çdo buzëmbrëmje, para perëndimit të diellit, ata shkojnë nëpër pjesë të ndryshme të portit kryesor shqiptar, të shoqëruar edhe nga eskorta e policisë dhe autoparlantët, për të performuar koncerte të atypëratyshme për familjet e mbyllura brenda ndërtesave, shkruan KOHA.
Koncerti në mbrëmjen e së martës, i pesti me radhë, zgjati 90 minuta, me këngëtarë që mbanin maska në fytyrë, duke kënduar me radhë këngë tradicionale në mikrofonin e mbështjellë me qese. Banorët rrihnin shuplakë me dorëza gome. Disa shkelën rregullat për të kuturisur përjashta dhe për të vallëzuar në rrugë afër dyerve.
Ata e përshkruanin interludin muzikor si bekim për qytetin që po përballet me një nga mbylljet më të rrepta në Evropë, ndërsa ka të freskëta ende plagët e tërmetit që vrau 24 njerëz më pak se 5 muaj më parë. “E mahnitshme, i harrova të gjitha shqetësimet”, ka thënë Ajshja, 60 vjeçe. Ajo vallëzonte, sytë që i shkëlqenin, duke mbajtur telefonin e saj për t’ia treguar koncertin live të birit që është i strehuar në Kosovë për shkak se lëkundja e tokës e bëri shtëpinë e tij të pabanueshme.