Bojkoti nga Shoqata e Arbitrave të Futbollit Shqiptarë ka gjetur të papërgatitura shumë skuadra, drejtues dhe trajner, që ishin bërë gati që të ishin në fushën e lojës këtë fundjavë për t’u ndeshur me rivalët respektiv.
Kreu i Federatës së Futbolli të Shqipërisë, Armand Duka, ka bërë të ditur se vendimi për vazhdimin ose jo të kampionatit do ë merret nesër.
“Kemi lajmëruar se është një mbledhje ku do marrin pjesë ministra, kryeministra, klubet shqiptare dhe do të diskutojmë për problematikën që kemi dhe çfarë mund të bëjmë për ndryshimet ligjore për të mirën e sportit, futbollit në rastin tonë. Nëse nuk rikthehet policia e shtetit? Do ta diskutojmë nesër në takim. Nuk mund ta di ende”, tha ai.
Takimi i nesërm në orën 11:00 në Tiranë midis kryeministrit Edi Rama dhe disa përfaqësues të kabinetit qeveritar së bashku me presidentin Duka dhe presidentëve të disa klubeve shqiptare me siguri do të prodhojë të rejat për lëvizjen e topit, i cili po qëndron prej një jave statik në mesin e fushës.
Ndryshe, kampionati shqiptar në futboll është ndërprerë pas sulmit ndaj gjyqtarit gjatë ndeshjes ndërmjet Kamzës dhe Laçit.
FSHF-ja deklaroi kohë më parë se nëse policia nuk kthehet në stadiume për mbarëvajtjen e sigurisë do të ndërprisnin kampionatin, por policia reagoi duke sqaruar se prej vitit 2017, nuk kanë më punë në stadiume./OraNews/