Eksperti i Ekonomisë, Mateo Spaho, thotë se qeveria nuk po përdor instrumentat e duhur financiar për të menaxhuar krizën ekonomike si pasojë e Covid 19.
Për Ora Neës, Spaho thotë se është e pakuptueshme sesi qeveria refuzon blerjen e bonove të thesarit nga bankat e nivelit të dytë me interes më pak se 2% dhe merr kredi nga FMN me interes 4%.
“Qeveria shqiptare ka refuzuar me një 1.96% interes blerjen e bonove të thesarit që bankat e nivelit të dytë kishin propozuar prej më shumë se 100 milionë eurosh. Pak ditë më pas mori nga FMN 190,5 milionë dollarë me interes 4%. Këtë gjë personalisht nuk e kuptoj, të refuzosh një borxh me interes më pak se 2% dhe të marrësh një borxh me 4% më lë pak kurioz dhe jo pak dyshime”, tha ai.
Qeveria nga ana tjetër ka vendosur të shtyjë pagesat e tatim-fitimit për sipërmarrjet por për Spahon ato duhet të ishin falur për një periudhë 3 mujore, sikundër ka ndodhur në Maqedoni.
“Me më shumë likuiditet ka vendosur të bëjë shpenzime për ekonominë. Shumë mirë që janë hapur disa mundësi për qytetarët. Por ajo që duhet të ishte pezullimi i taksave apo faljet nuk janë kryer. Në Maqedoni dhe vende të tjera tatimi mbi fitimin për biznesin për një 3 mujor është falur.Këtë vit bizneset do të paguajë tatim-fitimin që kanë pasur vitin e kaluar. Fitimi real aktual ka qenë zero për të mos thënë se shumë biznese kanë dalë me humbje. Një gjë është ta falësh për tre muaj, një gjë është të thuash ma jep me vonesë”, tha Spaho.
Në luftën me koronavirusin qytetarët këto ditë janë duket u përballur edhe me një rritje çmimesh të produkteve ushqimore. Spaho thotë se kjo është një krizë e vërtetë ekonomike që nëse nuk menaxhohet si dueht do të jetë më e rëndë se e 2009.
“Pezullimi transportit dhe kufizimi i tij po krijon probleme shumë të mëdha. Çmimet dyfishohen, ndërsa rrogat përgjysmohen.Kjo është krizë e vërtetë ekonomike dhe nëse nuk do të menaxhohet ashtu si duhet dhe po humbasim shumë kohë, do të jetë shumë më e rëndë se kriza ekonomike e 2009. Do të rrezikojmë të zhysim në varfëri më shumë shqiptarë ndërkohë që gati gjysma e popullësisë shqiptare është e varfër që sot. Nuk kemi luksin të keqmenaxhojmë situatat e vështira. Situata nuk do të jetë e mirë sepse edhe vendet e Europës Perëndimore do të kenë problemet e tyre, pranë nëse në të kaluarën zgjidhja për shqiptarët ka qenë emigrimi, në muajt në vijim nuk do të jetë sepse dhe në vendet e tjera do të ketë probleme të mëdha ekonomike. Shqipëria do të duhet të menaxhojë një numër të shtuar të varfërish sepse nuk po e menaxhon aktualisht si duhet situatën”, pohoi ai.
Sipas Spahos, efektet në bujqësi do të ndihen pas shtatorit, që do të shoqërohet edhe me rritje të mëtejshme të çmimit të produkteve bujqësore.
“Duhet të merret me ngulm me bujqësinë. Ka ndodhur që policia ka arrestuar njerëz duke punuar tokën. Problemin e bujqësisë nuk do ta ndjejmë sot, por nga shtatori dhe tutje. Produktet bujqësore që duhet të bëheshin gati në verë dhe të hidheshin në treg në shtator rrezikojmë të mos ti kemi dhe nëse dhe vendet e tjera janë sjellë në këtë mënyrë do të kemi një rritje të përgjithshme të çmimeve të produkteve bujqësore ndërkombëtare. Për njerëzit e shtresës së mesme dhe të ulët që konsumojnë produktet e shportës, këto produkte do të kushtojnë më shumë”, tha Spaho.