Numri i viktimave në Francë nga pandemia e COVID-19 duket të jetë i njëjtë me numrin e viktimave nga gripi gjatë dimrit të vitit 2018-2019.
Gazetari Genc Çobani në një intervistë për Ora News shprehet se një prej mjekëve francezë pranoi se koronavirusi i ri është më agresiv, por shifrat mbeten të njëjta.
“Përpara fjalimit të Presidentit Macron, Franca arriti rreth 15 mijë të vdekur. Por sot po flisja me një mjek infektolog dhe më dha një shifër shumë interesante. Në dimrin e vitit 2018-2019 në Francë kishin vdekur 14,400 persona dhe shumica e tyre ishin mbi moshën 65-70 vjeç nga gripi i atij viti. Jemi në të njëjtin nivel. E pranon agresivitetin e këtij virusi. Por numri i viktimave është pothuajse në të njëjtin nivel. Dje Presidenti Macron deklaroi se Franca është vendi i vetëm që ka vendosur më shumë klinika në dispozicion për personat e infektuar nga ky virus. Është dhënë urdhëri që të gjitha klinikat të bëjnë testimet falas nëpërmjet sigurimeve. Dhe urdhërojnë në të njëjtën kohë që kompanitë e sigurimeve të jenë të gatshëm për gjithçka. Edhe në raste se kalojnë çmimet, këto duhet të jenë të gatshme që të përgjigjen”, tha Çobani.
Qeveria franceze njoftoi ditën e djeshme se masat izoluese në vend do të shtyhen deri më 11 maj.
Gradualisht do të hapen dhe bizneset por, aktivitetet sociale e kulturore do të fillojnë të lirohen në mes të korrikut.
“Masat janë respektuar në përgjithësi. Lokalet dhe restorantet do të qëndrojnë të mbyllura deri në mes të korrikut. Ka patur shumë reagime për mbylljen e këtyre aktiviteteve. Pavarësisht fillimit të lehtësimit të masave pas datës 11 maj, Macron bëri me dije se aktivitetet kulturore e sociale do të qëndrojnë të mbyllura deri në mes të korrikut. Francezët janë një popull që i pëlqejnë shumë këto aktivitete. Në përgjithësi masat izoluese janë respektuar në Francë. Impakti social në vend ka qenë i madh”, tha ai.