Kryetari i AAK-së, sot i ka dërguar një letër Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak, ku ka shprehur qëndrimin e AAK-së lidhur me dialogun Kosovë Serbisë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Në letër, Haradinaj thekson se qëndrimi i AAK-së mbetet i pandryshuar, në atë se dialogu si ishte bërë nga ish-paraardhësja e Lajçakut, Frederica Mogherini, kishte devijuar nga temat e rëndësisë substanciale dhe kishte rrezikuar të arriturat e Kosovës.
“Haradinaj është treguar i drejtpërdrejtë me Lajçakun, duke i thënë se edhe tani veprimin e përfaqësuesit të lartë Joseph Borell, e sheh si përpjekje për të zvarritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë dhe për ta rikthyer dialogun në një proces të pafund”, thuhet në komunikatë.
Haradinaj po ashtu ka shprehur qëndrimin e tij për përfshirjen e SHBA-së në dialog, duke thënë se kjo gjë ka sjell një energji të re në proces.
Më poshtë gjeni letrën e plotë të Haradinajt për Lajçakun:
I nderuar Z. Lajcak,
Dëshiroj të ju falënderoj për letrën tuaj të datës 9 prill 2020, si dhe për propozimin për një bisedë telefonike me kërkesë të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Europian. Duke pasur parasysh rrethanat e paqarta politike, besoj se një thirrje telefonike do të ishte e panevojshme.
Qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me dialogun mbetet i pandryshuar: dialogu i ndërmjetësuar nga BE nën ish-Përfaqësuesen e Lartë Federica Mogherini ka devijuar nga temat e rëndësisë substanciale, ka rrezikuar të arriturat e Kosovës, dhe ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e BE-së për ta ndërmjetësuar dialogun në të ardhmen. Për më tepër, e shoh qasjen e tanishme nga Përfaqësuesi i Lartë Joseph Borell dhe nga ju si një përpjekje për ta zvarritur marrëveshjen përfundimtare dhe për ta rikthyer dialogun në një proces të pafund.
Megjithatë, Kosova e ka mirëpritur rolin e Kancelares Angela Merkel dhe të Presidentit Emmanuel Macron për t’u angazhuar personalisht në marrëveshjen gjithëpërfshirësë ligjërisht obligative.
Kam qenë vazhdimisht i zëshëm dhe i qartë në të kërkuarit e rolit aktiv të ShBA-së në dialog. Tani – situata me energjisë e re nga ShBA për Kosovën, ka rritur shpresat që dialogu Kosovë-Serbi, mbi një dekadësh, do të finalizohet me njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Megjithatë, ndërmjetësimin nga BE nën udhëheqje të ShBA-së e shohim si pozitive.