Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë në një debat në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian se mungesa e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në këtë moment është çështja më e vështirë në rajonin e Ballkanit perëndimor.
Ai ka thënë se BE-ja duhet të punojë në tejkalimin e dallimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe të forcojë perspektivën evropiane të rajonit.
Në këtë aspekt ka përmendur edhe emërimin e ish-ministrit të jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak si Përfaqësues të posaçëm të BE-së për dialog.
Borrelli ka kërkuar që Lajçakut “t’i jepet pak kohë” pasi sapo ka nisur punën dhe është duke e formuar ekipin e tij, por ka shprehur optimizmin se Lajçaku do të mund të ndihmojë që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje për normalizimin e raporteve.
Duke e quajtur si diplomat me përvojë Lajçakun, të cilin personalisht e ka zgjedhur si Përfaqësues të Posaçëm, Borrell ka thënë se ai do të punojë “me të gjitha palët” dhe ka përmendur këtu edhe OKB-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë kontekst ka përmendur edhe faktin se tashmë janë hequr tarifat prej 100 për qind për importin e mallrave nga Serbia në Kosovë si dhe mundësin që megjithatë të zhvillohet samiti BE-Ballkani perëndimor.
Ky samit ishte planifikuar të zhvillohej më 6 dhe 7 maj në Zagreb, por presidenca kroate, për shkak të krizës së koronavirusit, ka vendosur përkohësisht ta shtyjë për më vonë dhe të shqyrtojë mundësitë se si ta zhvillojë atë.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell ka bërë thirrje edhe për një aktivitet më të madh informativ të BE-së në Ballkan në mënyrë që qytetarët e këtij rajoni ta kenë më të qartë se cili është roli i BE-së për të ndihmuar rajonin dhe roli stabilizues i saj.
Borrell, për të ilustruar mungesën e vetëdijes për ndihmën e BE-së në Ballkan ka përmendur faktin se në rrugët e Beogradit mund të shihen billbordet me foto të kryetarit të Kinës me mbishkrimet “faleminderit vëlla Xi, na ke ndihmuar” por nuk ka pamje ku falënderohet BE-ja e cila ka ndihmuar shumë Serbinë dhe rajonet tjera të rajonit të Ballkanit perëndimor.
Në këtë mënyrë, tha Borrell, “nuk merret parasysh ndihma e BE-së ndërsa ajo e Kinës paraqitet sikur të ishte më e madhe sesa e Bashkimit Evropian para dhe gjatë krizës”.