Fondi Ndërkombëtar i OKB-së për Zhvillimin Bujqësor tha se fermerët nuk kanë mundësi të hyjnë në tregjet për të shitur, prodhuar apo blerë për shkak të pandemisë
Vendet duhet të veprojnë tani për të ndaluar pandeminë COVID-19 të shndërrohet në një krizë ushqimore, deklaroi kreu i Fondit Ndërkombëtar të OKB-së për Zhvillimin Bujqësor (IFAD), transmeton Anadolu Agency (AA).
“Efektet nga COVID-19 mund t’i shtyjnë familjet rurale edhe më thellë në varfëri, uri dhe dëshpërim, që është një kërcënim i vërtetë për prosperitetin dhe stabilitetin global”, theksoi Gilbert Houngbo.
Ai pohoi se veprimi i menjëhershëm mund të mbështesë banorët ruralë që të sigurojnë rikuperim të shpejtë dhe për të parandaluar një krizë më të madhe humanitare.
IFAD lëshoi një paketë prej 40 milion dollarësh për të mbështetur fermerët dhe komunitetet rurale, tha fondi në një njoftim për shtyp.
Pritjet janë që të ky fond të mbledhë 200 milion dollarë me kontribute nga shtetet anëtare, fondacionet dhe sektori privat.
“Shumë fermerë të shkallës së vogël nuk janë në gjendje të hyjnë në tregje për të shitur produkte ose për të blerë ushqime, siç janë farat ose plehrat”, rikujtoi fondi, duke shtuar: “Ndërsa të gjithë zinxhirët e prodhimit janë ndërprerë dhe papunësia rritet, më të prekurit përfshijnë punëtorët e përditshëm, biznset e vogla dhe punëtorët joformalë, të cilët janë shumë shpesh gra dhe të rinj”.
Ai gjithashtu kujtoi se 80 për qind e njerëzve më të varfër në botë jetojnë në zona rurale, dhe, madje edhe para pandemisë, mbi 820 milion njerëz luftonin me urinë çdo ditë.
“Studimi i fundit i Universitetit të Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se në një skenar të rastit më të keq, ndikimi ekonomik i pandemisë mund të shtyjë deri në gjysmë miliardë njerëz të tjerë në varfëri”, theksohet më tej.
Ndërkohë, ekspertët thonë se Turqia është një vend i mjaftueshëm për sa i përket ushqimit, veçanërisht prodhimit bujqësor.
Shumë vende të mëdha evropiane, si Italia, Holanda dhe Spanja, punësojnë njerëz të huaj për prodhimin bujqësor, por mbyllja e kufijve për shkak të pandemisë do të godasë më tej prodhimin e këtyre vendeve.
Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sëmundjen e ka shpallur një pandemi globale.
Deri më tani janë raportuar më shumë se 2,47 milion raste në të gjithë botën, me afro 170.400 vdekje. Mbi 652.000 njerëz janë shëruar nga virusi, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA.