Futbollisti rus, Yevgeny Frolov po përballet me gjobitje pasi ka kritikuar presidentin Vladimir Putin për veprimet ndaj krizës së krijuar nga përhapja e koronavirusit. Frolov po ashtu ka akuzuar presidentin e Rusisë për deklarata të pakuptimta.
Ekipi i Frolovit, Krylia Sovetov Samar, ka lëshuar një komunikatë të hënën në të cilën thuhet se komentet e tij kanë dëmtuar interesat e klubit dhe se portieri “do të gjobitet në përputhje me rregulloret e klubit”.
Kështu ka raportuar Moscow Times të martën.
Burime tjera kanë shkruar se Frolov pritet të gjobitet nga klubi.
Frolov ka dhënë komentet gjatë një interviste së fundi. Ai kritikoi Putinin për disa gjëra, duke përfshirë mënyrën se si Putin është përgjigjur pas përhapjes së koronavirusit.
“Atë që presidenti e thotë në televizion është plotësisht absurde”, kishte thënë ai.
“Ne duhet të qëndrojmë në shtëpi dhe nuk ka ndihmë nga shteti. Po, ne po ashtu dënohemi për dalje nga shtëpitë. Njerëzit nuk kanë para, ndërsa gjoba është shumë e lartë. Po bëhet muaji i dytë që njerëzit nuk paguhen. Kjo nuk është praktikë në Evropë”.