Gjatë vizitës së tij në Berat, kryeministri Edi Rama vizitoi edhe kantinën e verës “Nurellari” në fshatin Fushë Peshtan, e mirënjohur tashmë edhe në Zvicër e Francë.
Ajo është kthyer në një bujtinë nga më tërheqëset të zonës.
Ka qenë mbështetja e qeverisë përmes fondeve të AZHBR-së, që ka nxitur investitorin, ndër më të spikaturit dhe mjaft të suksesshëm në prodhimin e verës Made in Albania që të zgjerohet edhe me ambiente mikpritëse, të cilat i japin një atraksion plus edhe vetë qytetit turistik të Beratit.
Kryeministri Edi Rama ka parë nga afër transformimin e kantinës me një stil unik për vizitorët.
“Pa ndihmën e shtetit, megjithëse je demokrat, ti nuk e arrijë dot këtë nivel, shikoje sa bukur e ke bërë. Ky është simboli i bashkëpunimit mes një socialisti dhe një demokrati, ku të dy kanë qëllim zhvillimin dhe punën”, tha Rama.
“Kantina është bërë multifunksionale. Shërben edhe si hoteleri për katin e dytë, por edhe si banak për të ekspozuar produktet. Holli i arreduar me stil artizanal. Janë 6 dhoma, afërsisht shkojnë 20 shtretër. Çdo dhomë ka arredim të veçantë. Mënyra e arredimit edhe të kantinës funksionale është që ne të kemi edhe akomodim edhe degustim,” tregon zoti Nurellari.
Ai shton më tej se verërat që prodhohen në këtë kantinë kanë arritur të eksportohen deri në Francë, ndërsa pohon se pjesë e investimit të ri, falë mbështetjes së AZHBR-së, janë edhe butet franceze që i japin shije dhe aroma të veçanta verërave.