Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar lehtësimin e masave, të vendosura pothuajse gjashtë javë më parë me qëllim parandalimin e koronavirusit.
Mitsotakis tha se masat e kontrollit do të lehtësohen gradualisht, duke filluar nga e hëna 4 maj.
“Parulla jonë e re do të jetë të qëndrojmë të sigurt,” tha ai, duke këmbëngulur që dalja nga bllokimi do të shpalosej sipas një plani të mirëmenduar.
Ai tha se rastet e reja janë eliminuar praktikisht dhe numri i pacientëve që kërkojnë shtrimin në spital ka rënë;.
”Do ta them përsëri: dalja jonë nga karantina do të bëhet hap pas hapi. Askush nuk mund të përjashtojë një ngjallje të mundshme të kërcënimit nga pandemia” shtoi ai.
Mitsotakis shtoi se nga java e ardhshme qytetarët mund të lëvizin pa marrë leje, por duke përdorur maska dhe masat e tjera të nevojshme.
Shkollat dhe kishat do të hapen në maj ndërsa hotelet, restorantet dhe tavernat në 1 qershor. Por edhe ata do të duhet të zbatojnë rregulla të rrepta për distancimin fizik.
Lehtësimi i masave do të rishikohet çdo 24 orë nga ekspertët që kanë këshilluar qeverinë, me qëllim mbajtjen e situatës nën kontroll, theksoi Mitsotakis .