Departamenti amerikan i Tregtisë tha sot se prodhimi i brendshëm i përgjithshëm, u tkurr më shumë se 4.8 përqind në tremujorin Janar-Mars. Kjo është rënia më e madhe në një tremujor që nga Recesioni i Madh, i cili përfundoi në vitin 2009. Është gjithashtu tkurrja e parë e një tremujori në gjashtë vjet.
Analistët thonë se edhe më i zymtë është parashikimi për tremujorin pasardhës prill-qershor, periudhë gjatë së cilës mbylljet e bizneseve dhe pushimet nga puna goditën me forcë shkatërruese.
Administrata e Presidentit Donald Trump ka një pikëpamje më optimiste. Presidenti u tha gazetarëve këtë javë se ai pret një “rritje të madhe” në tremujorin e tretë, që do të ndiqet nga një “tremujor i katërt i jashtëzakonshëm.” Prej disa javësh, biznese të shumta në të gjithë vendin janë mbyllur dhe dhjetëra miliona njerëz kanë humbur punën. Besimi i konsumatorëve ka rënë gjithashtu.
Megjithatë, disa ekonomistë shpresojnë se rigjallërimi do të vijë shpejt pasi të përfundojë kriza shëndetësore.
Numri i të konfirmuarve me koronavirus në SHBA e ka kaluar shifrën një milion ndërsa ai i të vdekurve është rreth 58,400. Dr. Anthony Fauci, i cili drejton Institutin Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive, thotë se pret që numri i rasteve me COVID-19 të shtohet kur vendi të rihapet nga izolimi.
Ai tha të mërkurën për rrjetin CNN se një raund i dytë i koronavirusit është i pashmangshëm, por se sa i rëndë do të jetë, kjo do të varet nga progresi që do të jetë bërë në SHBA gjatë muajve të ardhshëm. “Nëse nuk i zbatojmë me sukses të gjitha kundërmasat, tha ai, mund të përballemi me një vjeshtë dhe një dimër të rëndë”.