Kryetarja e Kuvendit të Republikë së Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot ambasadorët e pesë vendeve të QUINT-it, Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe, dhe shefen e Zyrës së BE’së, me të cilët ka biseduar rreth zhvillimeve të fundit politike në vend dhe përpjekjeve për krijimin e një qeverie të re.
Osmani ka thënë se si kryetar e Kuvendit do të mbrojë integritetin e Kuvendit si dhe ka theksuar se do të promovojë respektimin e Gjykatës Kushtetuese e cila është e vetmja instancë e cila mund të interpretojë veprimet e institucioneve.
“Kryetarja Osmani i njoftoi ambasadorët e vendeve mike të Kosovës dhe atë të BE-së për veprimet të cilat institutucionet e Kosovës po i ndërmarrin për kapërcimin e kësaj pandemie.
Ajo po ashtu i informoi ata për hapat që do t’i ndërmarrë ajo si kryetare e Kuvendit për mbrojtjen e integritetit institucional të Kuvendit, mbrojtjen e stabilitetit dhe të demokracisë në vend, si dhe respektimin e Gjykatës Kushtetuese si e vetmja instancë e cila mund ta interpretojë kushtetueshmërinë e veprimeve të institucioneve”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Në këtë takim është diskutuar gjithashtu edhe për sfidën që po kalon Kosova në përballje me pandeminë COVID-19.
“Znj. Osmani i informoi përfaqësuesit e Kuintit me punën e Kuvendit të Kosovës, me theks të veçantë për kujdesin të cilin Kuvendi po e ushtron në menaxhimin e krizës së pandemisë Kovid-19. Ajo ua shprehu atyre mirënjohjen e saj dhe të Kuvendit për gatishmërinë e tyre dhe të vendeve të tyre që t’i qëndrojnë afër popullit të Kosovës dhe institucioneve të vendit gjatë kësaj krize”, thuhet ndër të tjera.