“Krimet që i ka kryer janë të përmasave të papara dhe brutale. Karaxhiq është fajtor për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit dhe shkelje të zakoneve të luftës”, thuhet në aktgjykimin përfundimtar që është duartrokitur nga publiku në gjykatore.
Gjykata Ndërkombëtare në Hagë ka kundërshtuar apelin e ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, kundër dënimeve që i janë shqiptuar për gjenocid dhe krime të luftës në Bosnje Hercegovinë në vitet 1990, si dhe i është zgjatur dënimi 40-vjeçar me burgim të përjetshëm.
Kjo është masa e fundit që i është shqiptuar Karaxhiqit për rolin e tij në masakrën në Srebrenicë më 1995, për orkestrimin e rrethimit gati katërvjeçar të Sarajevës dhe për krimet e kryera gjatë luftës në 20 komuna të Bosnjës.
Për këto akuza ai ishtë dënuar më 2016 me 40 vjet burgim.
Ky vendim është marrë më 20 mars nga Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunalet Penale, një gjykatë e Kombeve të Bashkuara, e cila merret me rastet që kanë mbetur të papërfunduara nga Tribunali Ndërkombëtar për krime në ish-Jugosllavi.