Ndërsa shumë platforma përpiqen jo pak që t’i mbajnë të mbërthyer përdoruesit e tyre, duket se aplikacioni që ka në qendër fotot, Snapchat, vazhdon të tërheqë vëmendjen e gjeneratës më të re.
Shumë njerëz thonë se po shkëputen, sepse e ndiejnë se koha e kaluar në mediet sociale është e humbur kot dhe se platformat po i bëjnë ata të mendojnë negativisht.
Një kompani kërkimesh në treg, me qendër në Boston, “Origin” ka mbledhur të dhëna mbi një kampion të rinjsh, të lindur nga viti 1994 e në vijim. Hulumtimi është ndalur te mënyrat sesi ky brez i lindur në epokën sociale preket nga bota virtuale.
Përveçse ka gjetur se 34 për qind e kësaj gjenerate ka hequr dorë përgjithnjë nga mediet sociale, studimi ka zbuluar gjithashtu se rreth 64 për qind bëjnë shkëputje të vazhdueshme.
Sipas raportit, njerëzit zgjedhin të heqin dorë nga mediet sociale për arsye të ndryshme. 41 për qind e të anketuarve besojnë se shpenzojnë shumë kohë në mediet sociale dhe 35 për qind thonë se, në to ka shumë negativitet.
Të tjera arsye janë edhe humbja e interesit në përmbajtje. 22 për qind e përdoruesve thonë se duan më shumë privatësi dhe nuk mund të përballojnë presionin për të marrë vëmendje.
Një në 5 përdorues thonë se platformat e medieve sociale i bëjnë të ndihen keq për veten e tyre. Pak kohë më parë, një tjetër studim tregoi se njerëzit po kalojnë gjithnjë e më pak kohë në Facebook. Sipas tij, ka një rënie prej 24 përqindësh të kohës së kaluar në këtë platformë nga një person.