Përveç kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit i cili është futur në vetizolim si shkak i një kontakti me një zyrtar të Minitrisë së Integrimeve Evropiane, edhe stafi i ngushtë i Zyrës së Kryeministrit është futur në vetizolim, si shkak i këtij kontakti.
Kabineti i ngushtë i Ministrisë së integrimeve Evropiane së bashku me ministrin Blerim Reka gjithashtu janë futur në izolim. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se ata, bazuar në rekomandimet e Ministrisë dhe ISHPK-së, do të qëndrojnë në izolim derisa të dalin rezultatet e testit të zyrtarit të Ministrisë së Integrimeve Evropiane e të cilat pritet të dalin gjatë ditës. Kryeziu ka thënë se është vetëm ky zyrtar do të testohet për momentin dhe më pas qeveria do të shohë si do të veprojë.
Kurti ka bërë të ditur të hënën se është në vetizolim, përmes një postimi në Facebook.
Ai ka treguar se shkak është një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane, që kishte pasur kontakt të ngushtë me një të infektuar me koronavirus.