Klubet spanjolle të futbollit nuk kanë opsion tjetër pos që të reduktojnë pagat e lojtarëve në edicionin e ardhshëm, për shkak të ndikimit financiar të pandemisë së koronavirusit. Kështu ka thënë presidenti i La Ligas, Javier Tebas.
Stinori i futbollit në Spanjë është pezulluar në mars, ndërsa ndeshjet pritet të vazhdojnë në qershor pa shikues në stadiume. Liga spanjolle ende vlerëson se klubet do të humbasin 300 milionë euro për shkak të ndërprerjes.
Për t’u përballur me humbjet, shumë klube, duke përfshirë Barcelonën dhe Atletico Madridin, kanë aplikuar zvogëlim të pagave për lojtarët dhe stafin gjatë kohës së pandemisë. Por Tebas beson se ulje tjera duhet të bëhen.
“Klubet duhet të reduktojnë pagat e lojtarëve të tyre. Nuk ka tjetër ilaç”, ka thënë Tebas të martën, raporton AS.
Klubet spanjolle kanë shpenzuar shumë rekorde vitin e kaluar për transferime. Barcelona pagoi 120 milionë euro për Antoine Griezmannin. Ndërkohë Altetico Madridi pagoi 126 milionë euro për Joao Felix.
Tebas ka thënë se klubet duhet të reduktojnë aktivitetet e transferimeve këtë vit.
“Nuk mendoj se do të ketë shumë transfere për edicionin e ardhshëm, në Spanjë apo diku tjetër. Situata aktuale nuk e lejon këtë. Klubet duhet të reduktojnë pagat e lojtarëve e në të njëjtën kohë të firmosin më pak apo me lojtarë më të lirë”.