Një pjesë e trashëgimisë arkivore – gazeta që dokumentojnë rindërtimin e Kosovës në vitet e pasluftës së vitit 1999 – për gati dy dekada kishte qëndruar në një kontejner në oborrin e ish-Pallatit të Shtypit.
Shpëtimi nga shkatërrimi i numrave të gazetës “Rilindja,” të cilët i mungonin Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, u bë falë alarmit të shkrimtares Ervina Halili, e cila nëpërmjet rrjetit social “Facebook” ia drejtoi publikisht kërkesën kryeshefit të Agjencisë. Tërheqja e materialeve u bë tek javën e kaluar, edhe pse vendimi për një gjë të tillë ishte marrë qysh më 29 janar të 2007-s.
Ervina Halili ka thënë se kur ka nisur të hulumtojë për dokumentarin “N’Rilindje” e ka vërejtur që arkivi është i përgjysmuar dhe se mungon arkivi social – që nënkupton dokumentet private që mund t’i kenë shkrimtarët dhe gazetarët që kanë punuar aty.
“Gradualisht fillova të mbledh materiale nga familjarët e shkrimtarëve dhe hulumtuesve, por për mua ishte brengë shumë e madhe që mungonin edhe materialet e vetë gazetës ‘Rilindja’. Në Bibliotekën Kombëtare arkivi ishte i përgjysmuar. Për shembull, nga viti 1990 kur ‘Rilindja’ kishte filluar të mos dilte, mungonin disa pjesë, por edhe në Arkivin e Kosovës nga viti 1986 mungon arkivi”, ka shpjeguar Halili, raporton KOHA.
Ajo, po ashtu ka shtuar se arkivi i gazetës “Rilindja” që botohej në Tiranë dhe në Zvicër është humbur. Në vitin 2001, ndërmarrja shoqërore “Rilindja” u mbyll në tërësi dhe hyri në kuadër të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (pastaj Privatizimit).
“Me këtë rast edhe objekti i ‘Rilindjes’ mbyllet dhe futet nën administrimin e Qeverisë. Pallati shndërrohet në zyre, ndërsa pjesa e shtypshkronjës ku kanë qenë makinat dhe arkivi mbyllet dhe futet nën administrimin e AKP-së, dhe gjithë materiali arkivor mbetet nën administrimin e AKP-së. Pjesa që ka qenë në Pallatin e Shtypit hidhet në kontejnerë, tatalisht e pakontrolluar. Një pjesë të vogël e merr Arkivi, ndërsa një pjesë tjetër AKP-ja e lë në formë të pakontrollueshme, thjesht e merr dhe e lë në formë të pakontrollueshme”, ka shpjeguar Halili, e cila më pas dha alarmin se këto arkiva duhen larguar nga kontejneri.
Sipas saj, përveç materialit të tërhequr nga kontejneri që ndodhej në oborrin e Ministrisë së Administratës Publike, që tash është Ministria e Brendshme dhe Administratës Publike, ekzistojnë edhe dokumente e libra të tjerë që nuk i kanë institucionet relevante.