Zërave që kërkojnë hetimin e veprimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për menaxhimin e pandemisë iu bashkohet edhe Shqipëria. Një rezolutë e sponsorizuar nga Bashkimi Europian, Australia dhe Zelanda e Re u paraqit në Asamblenë e OBSh-së që filloi të hënën në formatin e videokonferencës.
Shqipëria mbështet nismën e Bashkimit Europian, Australisë dhe Zelandës së Re që përmes një rezolute të paraqitur në Asamblenë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kërkojnë hetimin e këtij institucioni botëror për menaxhimin e gjendjes së pandemisë së Covid-19.
Asambleja që bashkon përfaqësuesit e 194 vendeve filloi të hënën në formatin e videokonferencës.
Prej kohësh Organizata Botërore e Shëndetësisë po ndeshet me pyetje për mënyrën se si e menaxhoi pandeminë, ndërsa disa herë është vendosur në qendër të akuzave se ka heshtur përballë mosveprimit të Kinës dhe fshehjes fillestare të përhapjes së virusit.
Duke iu drejtuar asamblesë, presidenti kinez Xi Jinping, mbrojti veprimet e vendit të tij. Ai tha se Kina “ka vepruar e hapur dhe me transparencë ” dhe këmbënguli se çdo hetim duhet të zhvillohet pasi pandemia të jetë vendosur nën kontroll.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus e mirëpriti propozimin për rezolutën dhe tha se do të bashkëpunojë sapo të krijohen kushtet.
Dyshimet ndaj OBSh-së kanë nxitur ndërkaq nismat e pavarura. Kështu Franca dhe Gjermania ranë dakord të hënën për krijimin e një fondi prej 500 miliardë eurosh për Rimëkëmbjen, fond i cili do t’u jepet vendeve europiane dhe rajoneve të goditura më rëndë nga pandemia.
Dy udhëheqësit Emmanuel Macron dhe Angela Merkel thanë se nisma e tyre është një hap i madh përpara dhe gjithashtu Komisionit Europian do t’i lejohet që të marrë para hua nga tregjet financiare.
Asambleja dyditore, vjen ndërsa po rriten tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në lidhje me virusin. Që tani Uashingtoni ka ndaluar financimet për organizatën dhe po zhvillon një program të pavarur për vaksinën.
Mbi 4.5 milionë vetë janë infektuar me koronavirusin e ri dhe mbi 300 mijë kanë humbur jetën që kur virusi u shfaq për herë të parë në Kinë.