Vazhdojnë përplasjet politike në Shqipëri pas shembjes së Teatrit Kombëtar. Kryeministri, Edi Rama përmes një postimi në Facebook tha se teatri i ri do t’iu ndihmojë të rinjve të largohen nga partitë opozitare, PD dhe LSI të cilat sipas tij, janë po aq primitive sa teatri i shembur.
“Skenat e reja kombëtare, kjo e Operës e Baletit dhe ajo e Teatrit Kombëtar, përveç̧ të tjerash do t’i ndihmojnë̈ edhe disa të rinj që gabimisht u janë “bashkuar” ca politikanëve e partive si tallashi e teneqeja e ngrehinës së shembur, të kuptojnë̈ nesër pse sot ia fusin krejt kot, kur revoltohen për monumentin imagjinar që mbajti peng artet skenike, komunitetin teatror dhe debatin për Teatrin e Ri kombëtar, tash 21 vjet”, Edi Rama, kryeministër.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ndonëse dje bojkotoi tryezën e reformës zgjedhore tha se vetëm zgjedhjet mund ta shembin pushtetin aktual, i cili ashtu si teatrin e ka shkatërruar ekonominë e shëndetësinë.
“Ne nga ana jonë do të bëjmë gjithçka që t’iu japim shqiptarëve 1 orë më parë, ashtu siç e kemi premtuar, kushtet më të mira për zgjedhje dhe rastin më të parë për t’iu drejtuar kutive të votimit”, tha Lulzim Basha, PD.
Pavarësisht kërkesave të artistëve për të mos i politizuar protestat, PD dhe LSI kanë thënë se do t’iu bashkëngjiten edhe në tubimin e nesërm. Nga ana tjetër Presidenti, Ilir Meta i bëri thirrje Aleancës për mbrojtjen e teatrit që të mos i përgjigjet dhunës me dhunë, ndërsa pas padive në Gjykatën Kushtetuese kërkoi hetim ndërkombëtar për shembjen e teatrit.