Kryeministri britanik, Boris Johnson deklaroi se më 1 qershor do të hyjë në fuqi një program i gjurmimit të kontakteve të personave që kanë dalë pozitiv në testin e COVID-19.
Johnson, i cili në muajin prill u shtrua në spital, pasi u infektua me koronavirusin e ri, është kritikuar për menaxhimin e bërë krizës. Në fillim të këtij muaji, ai shpalli një plan për të lehtësuar masat e izolimit, përmes të cilave është mbyllur pjesa më e madhe e ekonomisë.
Plani parasheh hapjen e shkollave dhe dyqaneve në 1 qershor. Duke folur në parlament, Johnson tha se qeveria do të rekrutojë 25,000 persona, deri në fillim të muajit të ardhshëm, të aftë për të gjurmuar 10,000 raste në ditë. Ai sqaroi se përmes këtij programi numri i përgjithshëm i testeve ditore do të mund të mbërrijë në 200,000.
Një zëdhënës i Departamentit të Shëndetit dhe Kujdesit Social tha se qeveria “po punonte me ritëm të shpejtë për të zhvilluar shërbimin e testimit dhe gjurmimit, gjë që do të përmirësojë ndjeshëm aftësinë për të gjurmuar virusin dhe për të ndaluar përhapjen”. Mbretëria e Bashkuar deri tani regjistron mbi 35 mijë vdekje nga sëmundja.