Michelle Thomas është ulur në hyrje të një klinike mjekësore, ajo nuk ndjehet mirë. Michelle ka udhëtuar 30 minuta me autobus për të ardhur nga skaji tjetër i kryeqytetit Uashington ku jeton, pasi ka pasur kollë dhe temperaturë prej disa ditësh, simptomat më të zakonta të COVID-19 që deri tani ka lënë 400 të vdekur në këtë qytet.
“Në lagjen time nuk ka asnjë klinikë mjekësore. Nuk shkoj shpesh për vizitë te mjeku. Nuk e di çfarë do të bëj nëse jam infektuar me koronavirus,” thotë ajo për Zërin e Amerikës.
Michelle Thomas, mësuese në pension, me moshë 73-vjeçare, është si miliona afrikano-amerikanë në SHBA, të cilët përballen me mungesa disproporcionale në kujdesin shëndetësor. Tani këto mungesa po shfaqen më qartë.
“E kam të qartë se mosha dhe problemet ekzistuese më vënë në grupin më të rrezikuar nga virusi,” thotë ajo.
COVID-19 ka dëshmuar ritme më të larta vdekshmërie mes grupeve të pakicave. Në shkallë kombëtare, 20 mijë afrikano-amerikanë kanë vdekur nga COVID-19, sipas një statistike të organizatës American Public Media (APM) Research Lab. Autorët e analizës statistikore pohojnë se këto shifra nuk dëshmojnë përmasat e plota të problemit, pasi shumë shtete nuk kanë përpiluar statistika në bazë race dhe etniciteti.
Por edhe këto të dhëna jo të plota dëshmojnë ritme vdekshmërie tri herë më të larta mes afrikano-amerikanëve se mes popullatës së bardhë. Ekspertët besojnë se pakicat janë më të rrezikuara, pasi bëjnë punë që nuk mund të kryhen nga shtëpia, pra janë më të ekspozuar ndaj infektimit.
Dallime në shërbimin shëndetësor
Punonjës të kujdesit shëndetësor në zona urbane thonë se pandemia ka nxjerrë në pah mungesat kronike në shërbimin mjekësor dhe pasojat e këtyre mungesave në lagjet me shumicë afrikano-amerikane.
“Në Uashington, në lagjet që kanë mbi 90% afrikano-amerikanë, jetëgjatësia përllogaritet në 72 vjeç. Pak kilometra më tutje, në lagje ku shumica e banorëve janë të bardhë, jetëgjatësia përllogaritet në 87 vjeç,” thotë Dr. Wayne Frederick, obstetër dhe president i Universitetit Howard në Uashington. “Kur filluam të analizojmë kushtet sociale që diktojnë gjendjen shëndetësore, filluam të dallojmë hendekun racor që ekziston,” thotë Dr. Frederick.
Në 2018, afrikano-amerikanët përbënin rreth 46% të popullatës por në këtë epidemi ata përfaqësojnë 77% të të vdekurve nga COVID-19. Popullata e bardhë përbën 42% të numrit total të banorëve, por përfaqëson vetëm 13% të viktimave të COVID-19. Kjo situatë vërehet edhe në shtete e qytete të tjera me një përbërje të ngjashme racore.
“Virusi është ende i pranishëm në qytetin tonë. Po punojmë për të krijuar një komunitet më të shëndetshëm me qasje më të drejtë në shërbimet shëndetësore,” thotë kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser.
Studime e analiza prej dekadash kanë treguar se shumë afrikano-amerikanë nuk kontrollohen rregullisht tek mjeku dhe nuk mjekohen për probleme si tension i lartë, diabet apo sëmundje të tjera që e rrisin rrezikun nga COVID-19. Në kryeqytetin amerikan, një statistikë qeveritare tregon se 97% e banorëve nuk kishin sigurime shëndetësore në 2019.
Dr. Frederick fajëson për këto probleme mungesën e klinikave e objekteve të tjera mjekësore në lagjet me shumicë afrikano-amerikane.
“Në një nga lagjet më të mëdha afrikano-amerikane, ka vetëm një klinikë për probleme akute, e cila nuk ka kapacitet të madh. Pjesa më e madhe e klinikave të urgjencës janë në lagje të tjera. Nuk ka të bëjë nëse ke apo jo sigurime shëndetësore. Problemi është se nuk ke mjek në zonën ku jeton,” thotë Dr. Frederick.
Disa udhëheqës afrikano-amerikanë i kanë bërë thirrje qeverisë të shpenzojë më shumë në sistemin parandalues dhe për analiza për diagnostikimin e koronavirusit në komunitetet afrikano-amerikane.
“Nëse gjithë këto fonde që po shpenzohen përqëndrohen në këtë element, i gjithë sistemi përfiton. Duhet të kemi mjekë e shërbime klinike në lagjet afrikano-amerikane,” thotë Dr. Frederick. Ai vë në dukje se fakulteti i mjekësisë në Universitetin Howard diplomon më shumë se 100 mjekë në vit, disa prej të cilëve hapin klinika në lagjet më në nevojë.
Në periudhën aktuale, zyrtarët e shëndetësisë po përpiqen të rrisin ritmet e testimit dhe gjurmimit të personave që mund të jenë ekspozuar ndaj virusit në komunitetin afrikano-amerikan në mënyrë që të ngadalësojnë ritmet e përhapjes së epidemisë.
Zonja Michelle Thomas pret te stacioni i autobusit që të kthehet në shtëpi, pas vizitës te mjeku. Ajo thotë se shpreson që banorët e komunitetit të saj do ta marrin seriozisht rrezikun. “Nuk dua të dëgjoj për vdekje të tjera,” thotë ajo. VOA