E para nga ato që pritet të jenë pesë çisterna iraniane të naftës ka mbërritur në një rafineri-port të Venezuelës, duke kundërshtuar sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj të dyja vendeve.
Anija mbërriti në Venezuelë të dielën dhe ministri i naftës i vendit njoftoi se është ankoruar në rafinerinë El Palito.
Një anije e dytë hyri në ujërat e Venezuelës të hënën dhe një e tretë po lundron nëpër Karaibe.
“Dua të falënderoj – nga zemra më fisnike dhe e ndjeshme e popullit venezuelian – Republikën Islamike të Iranit, Presidentin (Hassan) Rouhani, shokun dhe kolegun tim, Udhëheqësin Suprem Ajatollah (Ali) Khamenei … dhe të gjithë Iranin, nga zemra, për solidaritetin e tij, për mbështetjen e tij“, tha Presidenti Nicolas Maduro.
Megjithë pasurinë e saj të naftës, Venezuela po përjeton mungesa të mëdha të karburantit. Rënia e ekonomisë së saj së bashku me sanksionet amerikane kanë shkatërruar pothuajse aftësitë e saj të rafinimit.
Irani ka rënë dakort të dërgojë më shumë se një milion e gjysëm fuçi benzine dhe pjesë këmbimi për Venezuelën.
As Shtëpia e Bardhë dhe as Departamenti i Shtetit nuk patën ndonjë koment të hënën. Por, një zyrtar i lartë i administratës Trump tha javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara po mendojnë se si të përgjigjen.
Sanksionet e Shteteve të Bashkuara i ndalojnë Iranit të shesë naftë. Janë vendosur gjithashtu sanksione mbi ekonominë e Venezuelës, përfshirë kompaninë e saj shtetërore të naftës, si pjesë e një përpjekje për të larguar Maduron nga pushteti.