Libri i Antal Molnárit, “Konfesionalizmi në kufi: Katolikët e Ballkanit në mes Reformës së Romës dhe realitetit otoman”, i botuar më 2019 nga “Viella” në Romë, është gjithçka, përveç një libër i zakonshëm historie.
Molnár edhe më herët ka sjellë kontribute të dallueshme për historinë e Ballkanit nga koha e re, duke vjelë burime të panjohura në Vatikan, Dubrovnik e arkiva të Kotorrit, duke qenë drejtor i Akademisë Hungareze në Romë. Momentalisht është drejtor i Institutit të Historisë në Qendrën Hulumtuese për Shkenca Humane në Akademinë Hungareze të Shkencave dhe ligjërues në universitetin prestigjioz “Eötvös Lorānd” të Budapestit.
Kontributet e tij më të njohura janë: “Le Saint-Siĕge”, “Raguse et les missions catholiques de la Hongarie Ottomane 1572-1647” (nga viti 2004), “The Falconieri Palace in Rome” nga viti 2016, në bashkautorësi me Tomās Töth, si dhe kontribute të tjera që kanë të bëjnë me kundë-reformacionin dhe historinë e Ballkanit, ndër to edhe për veprimtarët katolikë shqiptarë, për çka do të flasim më vonë.
Molnár, i cili vjet dy herë u paraqit para opinionit kosovar, njëherë me rastin e 550-vjetorit të Skënderbeut, dhe në promovimin e librit mbi kontakte historike shqiptaro-hungareze në Akademinë e Arteve dhe të Shkencave të Kosovës në Prishtinë, është një poliglot që flet italisht, frëngjisht dhe gjuhët sllave të jugut dhe që ka sjellë qasje origjinale në paraqitjet kthesë të studimit të katolikëve dhe Ballkanit nën otomanët duke vjelë arkivat e njohura të mediteranit, por jo vetëm ato. Libri para nesh, siç e shpjegon edhe vetë autori në hyrje, është një kompilim esesh të mëhershme të sjella si një tërësi simpatike që prek jetën e katolikëve ballkanikë pas Kundër-reformacionit dhe të jetuarit e tyre në një perandori jokrishtere të kohës, si ajo otomane.