Skuadra e elitës së Belgjikës në futboll, Standardi, i ka caktuar çmimin mbrojtësit të krahut të djathtë, kosovarit Mërgim Vojvoda, i cili po kërkohet me ngulm nga Lazio që bën gara në Serie A.
Mësohet se për ta lënë të lirë Vojvodën në këtë verë, Standardi po kërkon hiq më pak se shtatë milionë euro dëmshpërblim. Vojvoda pëlqehet shumë nga Lazio, pasi ekipi italian e sheh si zëvendësim ideal për Adam Marushiqin që do të largohet në fund të këtij edicioni.
Ai pritet të largohet nga ekipi belg dhe një gjë të tillë për “Sportin në KTV” javë më parë e pati konfirmuar edhe agjenti i Vojvodës, Ardian Aliaj ku edhe kishte konfirmuar ofertat prej disa ekipeve në Serie A, duke mos ua zbuluar emrat. Vojvoda te Standardi është transferuar verën e shkuar nga Mouscroni për 1.2 milionë euro dhe ka kontratë deri në vitin 2023.
Këtë edicion, ai ka shënuar një gol dhe bërë katër asistime në 31 paraqitje në të gjitha garat te Standardi. Vojvoda prej vitit 2017 është reprezentues i rregullt te Kosova, duke regjistruar një gol në 22 ndeshje.