Imagjinoni t’i nënshtroheni provimeve finale ulur në një tavolinë pikniku në qiellin e kaltër dhe në mes të plantacioneve të ullinjve, e zhurmës së zogjve në periferi të Umbrias.
Ky skenar dramatik i pret studentët në Institutin Agrokulturor Ciuffelli, pasi organizimi i provimeve në ambient të mbyllur është i pasigurt dhe i paparashikueshëm shkaku i koronavirusit, shkruan agjencia Reuters.
Në kampusin 75 hektarë të shkollës në periferi të qytetit Todi të martën, shtatë profesorë dhe një student kanë bërë një provë për provimet që do të mbahen muajin e ardhshëm.
Në Itali gjithë studentët i nënshtrohen provimeve me gojë dhe me shkrim për të marrë një diplomë apo gradë. Normalisht të gjithë ato mbahen në ambient të mbyllur, por këtë javë provimet me shkrim janë anuluar për të evituar ngarkesën në klasa shkollore.
Zyrtarët e institutit kanë vendosur të mbajnë provimet me gojë në ambient të jashtëm.
Profesorët, duke mbajtur maska, qëndronin ulur me laptopët e tyre dhe printerët në një tavolinë pikniku rreth 19-vjeçarit Matteo Lenticchia, që po i përgjigjej një numri të pyetjeve hipotetike për qumështin, djathin, sigurinë e ushqimit, konsumimin dhe shpërndarjen.
Ata ishin vendosur nën hije të pemëve.
“Në fakt, është më relaksuese të jesh jashtë. Është më relaksuese të dëgjosh tingujt e zogjve sesa të dëgjosh sirenat e veturave”, ka thënë Lenticchia.
Në Institut gjatë pesë vjetëve studentët mësojnë çdo aspekt të agrokulturës, si të drejtosh një fermë, për kafshët, për bimët dhe madje edhe si të përdoren dronët për të monitoruar lagështinë në fusha.
Umbria, që gjendet në qendër të Italisë, është e famshme për prodhim bujqësi.