Liga profesionale e futbollit të Zvicrës (SFL) bëhet e fundit që cakton datën e rifillimit. 20 anëtarët e dy kategorive të para të Zvicrës kanë votuar të premten për të rifilluar edicionin, që është pezulluar herët në mars për shkak të koronavirusit.
SFL ka bërë të ditur përmes një komunikate se Superliga dhe Challenge League do të vazhdojnë më 19 qershor dhe do të kompletohen më 2 gusht. Të gjitha ndeshjet luhen pa shikues.
Me 13 xhiro të mbetura, do të ketë shumë javë të ngarkuara, të njohura si “javë angleze”, me ndeshje në mesjavë dhe fundjavë. Skuadrave do t’iu lejohen të bëjnë nga pesë zëvendësime për ndeshje.
Është thënë se klubet kanë refuzuar propozimin për të rritur Superligën nga dhjetë në 12 skuadra.
Rifillimi i Superligës së Zvicrës është me interes edhe për Kosovën dhe për futbollistë të shumtë shqiptarë që bëjnë karrierë në këtë vend. Hekuran Kryeziu, Benjamin Kololli, Idrizi Voca, Mirlind Kryeziu, Edon Zhegrova janë disa prej lojtarëve të Kosovës që bëjnë karrierë në Zvicër. Ndërkohë numri i shqiptarëve në elitë dhe në kategorinë e dytë helvetike është goxha i madh.
“Më në fund futbolli po kthehet në Zvicër. Jemi falënderues për këtë”, ka shkruar Pajtim Kasami, një prej emrave të njohur të futbollit zviceran.
Po të premten është njoftuar se edicioni në Japoni do të rifillojë më 4 korrik.